Deputeti socialist i Vlorës, Fate Velaj, tha sot në Kuvend se një grup votuesish në këtë qytet i kanë kërkuar të lexojë një letër drejtuar kreut të PD-së, Lulzim Basha. Velaj tha se qytetarët që kanë shkruar letrën janë ish-votues të së djathtës.
“I dashur Lulzim. Nuk na e bën goja të të themi kryetar opozite sepse këtë rol nuk ia merr dot zotit Berisha. Meqë e ktheve opozitën në një organ pa zemër, por të drejtohemi dhe para se ta japësh përgjigje konsultohu me vjehrrën dhe kunatin. Mos u nxito, sepse mund të përdoret në hetimin për të cilin jemi të sigurt se do të thellohet.
A e ke pyetur gjysmën tënde çfarë e ka njeriun me mbiemër Alimuça që fliste në telefon me Habilajt, por që është edhe kushëri i Habilajve. Nëse po, pyete dhe mos nxito”, ishte një pjesë e letrës që lexoi Velaj.
Me anë të letrës Velaj thotë se ka zbuluar lidhjet farefisnore të gruas së Bashës me Habilajt, ndihmën ndaj tyre në periudhën e Piramidave dhe lidhjet e tij me ta kur ishte ministër i Brendshëm.
Deputeti tha se PD i ka ndihmuar Habilajt që në kohën e Piramidave të famshme me anë të piramidës “Alimuça”. Ai i thotë gjithashtu Bashës duke cituar letrën e banorëve të zonës, se para se të flasë për Habilajt të konsultohet me kunatin e tij të famshëm dhe vjehrrën e tij. Velaj, teksa citonte letrën, tha se gruaja e Bashës është kusherirë e një personi me mbiemrin Alimuça dhe që është edhe kushëri i Habilajve. Banorët i thonë Bashës “Mos u nxito para se të japësh përgjigje sepse mund të përdoret në hetimin të cilin jemi të sigurtë se do të thellohet”.
Por letra vazhdon më tej me të reja të tjera. Sipas letrës së lexuar nga Velaj, “Basha duhet të pyesë vjehrrën e tij se çfarë e lidh nënën e saj me fisin Habilaj? . Pyete pak edhe vjehrrin tënd si i njeh Habilajt dhe Alimuçajt e Vlorës?. Pyete pak kunatin se kush ishin të fortët që i dolën në krah, teksa ndërtohej hoteli në det? “
Më tej në letrën e lexuar nga Velaj në Kuvend, qytetarët shprehen se ”Basha i njihte Habilajt që kur ishte ministër i brendshëm dhe ata e bridhnin detin ngarkuar sikur ta kishin të babait. Ç’pati Zagani që përmendi një qokë të policisë së Durrësit për ta kur ti ishe në pushtet Lulzim?, vazhdon letra.



