Kreu i Institutit për Gjeopolitikë në Kosovë Sadri Ramabaja tha në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV se do të ishte mirë që të kishim një qeveri të rimandatuar në Kosovë, por opozita u frikësohet zgjedhjeve. Po ashtu Ramabaja tha që ka informacione se përplasjet Osmani-Kurti, lidhen me kapriço personale dhe për çështje private. Duke u ndalur te draft-statuti i BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Ramabaja tha se nuk ka gjasa që ai të pranohet nga asnjë politikan në Kosovë, pasi “vendi nuk mund të federalizohet për hir të katër katundeve në Veri”.

Lidhur me mos konsensusin e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje, Ramabaja tha:
"Ka mungesë të një ujdie të brendshme brenda opozitë. Respektivisht mosgatishmëri thuajse totale nga një pjesë e saj, për mos shkuarje në zgjedhje këtë fillim vere apo eventualisht fillim vjeshte, prandaj ka gjuhë përplasje brenda opozitës. Arsyeja reale pse ndodh kjo është sepse partitë parlamentare rregullisht marrin informacione nga institucionet përkatëse, e dinë mirë se në çfarë pozite janë, prandaj s’janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje. AAK ka gjasa që s’kalon pragun. PDK dhe LDK bëjnë garën për vendin e dytë. Matjet e nxjerrin PDK-në në pozicionin e dytë. Ka një paralajmërim për çarje nga një nga segmentet e pozitës, partia Guxo. Shkuarja deri në fund të mandatit do t’i jepte një përparësi të madhe qeverisë”.
I pyetur a është e nevojshme në këto kushte që Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, ai tha:
"Mendoj se po të kishim një maturi të mirëfilltë politike do duhet të bëheshin gati dhe vjeshta e vonë të mos na gjente me punën e zgjedhjeve nëpërkëmbë. Do ishte mirë për një qeveri të rimandatuar”.
Lidhur me diskutimet e disa partive të opozitës për dorëheqjen e Kurtit, Ramabaja tha:
"Opozita u frigohet zgjedhjeve dhe duhet të gjejë një arsye, një motiv. Të gjithë e kanë të qartë, që vendi shkon në zgjedhje duke shfrytëzuar parakushtet e nenit 34 të Kushtetutës. Por në këto rrethana edhe nëse kryeministri do jepte dorëheqjen nuk do shkonim në zgjedhje, pasi duhet të shpenzoheshin afatet e rregullta kushtetutese”.
Sa i takon divergjencave qeveri-presidencë, Ramabaja deklaroi:
"Kjo është majisur me kohë dhe ka shpërthyer tash, në një moment të paduhur, si rezultat i mungesës së racionalitetit politik dhe veprimit të ftohtë. Kjo majisje ka qenë brenda partisë Guxo. Presidentja ka telashe me formacionin prej nga ka dalë vet. Qëndron dilema se si do të veprohet në zgjedhjet pasuese, a do të jetë Guxo pjesë e koalicionit parazgjedhor me VV, apo do garonte e vetme. Po rezulton nga informacionet që kam unë se përplasjet janë për kapriço personale, për çështje bukur shumë private”.
Lidhur me draftin e BE për Asociacionin, ai u shpreh:
"Nuk mund të shkëputet drafti i statutit të Asociacionit nga pakoja e marrëveshjes. Marrëveshja e Ohrit është shkelur nga Serbia, dhe në një mënyrë apo tjetër është nulifikuar me kohë. Insistimi për ta imponuar Asociacionin, është gati përpjekje për ta shpënë në kalendat greke vet draft-statutin e propozuar nga BE. Nuk ka gjasa që ai draft-statut të pranohet nga secili politikan i Kosovës, pasi do të përshëndetej me jetën politike. Nuk mund të lejojë Kosova të federalizohet për hir të katër katundeve në Veri. Është pretenduar nga pala serbe që të shkohet tutje pakos Ahtisari, që të mbahet Kosova në stadin e një shteti të dështuar, dhe të bëhet fakt ndarja e Veriut. Asociacioni s’do jetë më temë, pasi bëhet fjalë për një numër të vogël serbësh në Veriun e Kosovës. Nuk ka një komoditet të tillë BE të federalizojë shtete gjithandej sipas modelit serb. Greqia në raport me 4 vendet e tjera anëtare të BE, ka pasur një qëndrim gjithnjë më të matur. Edhe mund të ketë ndryshime të kësaj natyre (njohjes së Kosovës), që i ndërlidh me frontin e luftës në Ukrainë”.



