Parlamenti Evropian e ka përshkruar vizitën e kryeministrit hungarez Viktor Orban në Rusi si një “shkelje të hapur të traktateve të BE-së dhe politikës së jashtme të përbashkët”.
Në një votim të mërkurën, eurodeputetët votuan për të dënuar takimin duke miratuar një rezolutë e cila përfshinte një angazhim nga Parlamenti Europian për të ruajtur mbështetjen e tij për Ukrainën.
Rreth 495 eurodeputetë votuan në favor të rezolutës pro-ukrainase dhe 137 deputetë votuan kundër.
Orban vizitoi Moskën në fillim të korrikut si pjesë e atij që ai e quajti një “mision paqeje” për të diskutuar me Vladimir Putin kushtet që mund t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Vizita tronditi Brukselin dhe Bashkimin Europian, pasi u zhvillua disa ditë pasi Hungaria mori kryesimin e presidencës së Këshillit Europian dhe Orban sugjeroi se ai po përfaqësonte bllokun në tërësi.
“Presidenca e radhës së BE-së nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të Bashkimit Europian. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të bëhet pa Ukrainën”, shkroi shefi i Këshillit Evropian Charles Michel në X në fillim të korrikut.
Deklarata e miratuar nga Parlamenti Evropian “e konsideron vizitën si një shkelje të hapur të Traktateve të BE-së dhe politikës së jashtme të përbashkët, duke përfshirë parimin e bashkëpunimit të sinqertë”, ndërsa argumenton se Orban nuk kishte të drejtë të përfaqësonte BE-në dhe për të shkelur qëndrimet e përbashkëta të BE-së.
“Menjëherë pas misionit të ashtuquajtur paqësor të kryeministrit hungarez, Rusia sulmoi spitalin e fëmijëve Okhmatdyt në Kiev, duke treguar mungesën e rëndësisë së përpjekjeve të tij të supozuara, të cilat janë pritur me skepticizëm nga udhëheqja ukrainase”, vazhdon rezoluta, duke iu referuar sulmit të dhunshëm më 8 korrik që vrau të paktën 20 persona.



