“Më mirë 100 kriminelë në liri, se sa një i pafajshëm në burg”.
Ishte ky postulati i Benjamin Franklit i cili në 84 vitet e tij të jetës në vitet 1706-1790 as e kishte menduar se në shekullin 21 postulati i tij do të ishte shkruar edhe për krimin fatal të ndodhur më 26 tetor 2020 në “Sheq të Madh” në Bashkinë Fier.
Benjamin Franklin njihet si një nga personalitetet e shquara amerikane që dha kontributin e tij për pavarësinë e Shteteve të Bashkuara. Ai ishte shkencëtar, politikan, gazetar, publicist, autor, diplomat, aktivist dhe shpikës, ndërsa imazhi i tij prej dekadash është i stampuar në prerjen 100 dollarëshe të kartëmonedhës amerikane.
Çfarë ka ndodhur mëngjesin e 26 tetor 2020?
Nga materialet e siguruara nga “FactCheck” dhe këto pamje rezulton se “Rreth orës 05:50 të mëngjesit në Lagjen “Sheq i Madh” Fier, përballë Qendrës Shëndetësore, është vrarë me armë luftarake shtetasi Ahmet Toska i moshës 52 vjeç, banor i kësaj lagjeje, i cili në momentin e vrasjes po përcillte për në punë bashkëshorten e tij Enida Toska. Autori i ngjarjes ka qenë i maskuar dhe e ka qëlluar viktimën me armë katër herë në kokë dhe në shpatull dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”.
Të parët që konstatuan këtë krim ishin banorët e lagjes të cilët dalin nga banesat pasi dëgjojnë britmat e Enida Toskës e cila mundi të identifikojë fizikun e autorit e në kushtet e një traume të shohë me sytë e saj vrasjen e burrit.
Emisioni “FactCheck” do të trajtojë në këtë puntatë se çfarë ndodhi pas këtij krimi të rëndë, cili ishte autori dyshuar, kush u arrestua dhe deri më datë 11 dhjetor kur drejtësia shqiptare shpalli me vendim gjykate verdiktin e saj.



