Një shtetase amerikane ka denoncuar në polici përdhunimin nga kamerieri i një lokali ku ajo kishte qëndruar disa ditë më parë. Afroamerikanja 37-vjeçare, e cila është pjesë e një misioni të huaj në Shqipëri, e ka denoncuar ngjarjen një javë pasi ka ndodhur, çka ka çuar në arrestimin e kamerierit 20-vjeçar. Ajo është paraqitur në komisariatin nr.1 në kryeqytet, ku ka bërë kallëzimin dhe nuk ka dhënë shpjegime për arsyen e vonesës së kallëzimit të ngjarjeve, pasi, sipas saj, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, raporton “Panorama”.
Në denoncimin e saj, shtetasja me iniciale L.R. shprehet se të premten, më datë 9 dhjetor, ka dalë në një prej bareve që ndodhet në Rrugën e Elbasanit, ku ka qëndruar për disa orë. Gjatë kësaj kohe, ajo thotë se ka konsumuar pije alkoolike që ka porositur vetë, por edhe disa gota i janë servirur nga kamerieri me iniciale F.A., i cili, sipas saj, herë pas here i afrohej dhe bisedonte me të. Në momentin që ka dalë nga lokali dhe është nisur për në shtëpinë ku qëndron në Tiranë, që ndodhet jo shumë larg lokalit ku ajo kishte pirë, ka konstatuar se kamerieri ishte disa hapa pas saj. Por në kallëzim ajo ka deklaruar se për shkak të pijes, nuk ka ndaluar që të flasë me të, duke vijuar rrugën për në shtëpi. Në momentin që ka hapur derën e apartamentit për t’u futur brenda, i riu është futur me dhunë menjëherë pas saj dhe duke ushtruar dhunë fizike ka kryer marrëdhënie seksuale me të.



