Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, foli edhe njëherë për “tenxhere” politike dhe mediatike që qarkullojnë tezën sipas tij të pavërtetë që në Shqipëri korrupsioni ka arritur kulmin. Rama tha se mesazhet që dalin nga dosjet hetimore nuk janë prova, por kthehen në ushqim për mediat.
“Pabarazia në tendera është vepër tjetër, s’është korrupsion. Dua të them këtë, që a është e mundur që ky vendi më i korruptuar në botë, ku sipas tenxhereve korrupsioni ka arritur kulmin, sepse ushqehet kjo tezë nga mëngjesi në darkë... çfarë do të thotë mesazhet? Që kur mesazhet janë prova dhe ushqim për mediat. Që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetisë së shtrigave. Mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq, çfarë ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në gjyqet e shtrigave, kur dikush të dalë i pafajshëm. Për çfarë i duhet më pafajësia kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja?! Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, dhe s’lejohen shumë nga ato gjëra që ndodhin këtu. S’fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Në Shqipëri bëhen mijëra prokurime dhe mijëra e miliona ndërveprime, në fund të ditës 37 raste për 12 vjet”.



