
Shteti Islamik dhe talebanët janë në një betejë për kontrollin e minierave afgane të talkut, me të cilin furnziohet një pjesë e madhe e tregut europian dhe atij amerikan.
Minerali i përdorur gjerësisht në pudrën e bebeve, në kozmetikë, por edhe në disa pjesë të makinave, nxirret në zonat lindore të Afganistanit, ku talebanët dhe Shteti Islamik po luftojnë për supremaci.
Një raport i hartuar nga Global Witness arrin në përfundimin se të ardhurat nga shitjet e talkut në Perëndim po shkojnë në favor të kryengritësve në Afganistan.
"Ky raport tregon mënyrën e fshehtë me anë të së cilës kryengritësit janë përfshirë në minierat e talkut dhe ngre shqetësimin se grupe si Shteti Islamik po përfshihen gjithnjë e më shumë”, thotë Nick Donovan, drejtues i studimit.
Ai thotë se ndërkohë që talebanët kanë shtënë në dorë minierat e talkut, krahu afgan i ISIS-it duket se po përpiqet të ndjekë të njëjtën skemë të përdorimit të burimeve natyrore për të financuar aktivitetin e tij. Ky trend është vënë re veçanërisht në Irak dhe Siri, ku grupi është përfshirë në rafinimin e naftës bruto.
Sipas raportit, ISIS-i tashmë kontrollon në Afganistan miniera të mëdha kromi, talku dhe mermeri, të vendosura këto sidomos në “fortesën” e tyre, Achin, në provincën Nangarhar, e njëjta zonë ku ushtria amerikane kreu bombardimin e fuqishëm të prillit 2017.
Donovan thotë se duke parë skemën se si u përvetësuan burimet natyrore në Irak dhe Siri, rasti i Afganistanit duhet të përbëjë një kambanë alarmi për qeverinë afgane dhe administratën Trump.
Përllogaritjet tregojnë se talebanët nxjerrin fitime miliona dollarëshe nga eksporti i talkut. Në total, ata sigurojnë 300 milionë dollarë në vit nga minerale të ndryshme që nxirren në vend.
Pjesa më e madhe e talkut eksportohet në Pakistan, nga ku më pas shpërndahet në SHBA dhe vende të tjera të botës. Talku që importohet nga Pakistani përbën 1/3 e sasisë së importuar në SHBA, ndërsa vendet e BE-së importojnë sasi të mëdha gjithashtu. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



