Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, mbajtën sot një konferencë për media, një ditë para Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet nesër në Tiranë.
Në fjalën e mbajtur u prek edhe çështja e tensioneve të fundit Kosovë-Serbi. Rama tha se samiti do ketë një hapësirë diskutimi për çështjet e fqinjësisë në rajon, por nuk merr përsipër të dalë me zgjidhje për probleme të tilla.
Ndërkohë Presidentja e Komisionit Europian kërkoi nga Kosova dhe Serbia që t'i kthehen dialogut.
“Pa presidenten e Komisionit, pa angazhimin e saj personal për të thirrur me shumë shpejtësi një konferencë të madhe në Bruksel dhe për të kërkuar nga të gjithë solidaritet, ne nuk do t’ia kishim dal ashtu siç ia dolëm. Dhjetëra mijë fëmijë që humbën shkollën e tyre, nuk do të ishin sot duke bërë mësim në shkolla që nuk kanë asnjë ndryshim nga shkollat më të mira të BE.
Por sot ne jemi këtu së bashku me presidenten Von Der Leyen në vigjilje të një samiti tjetër, i pari samit i Procesit të Berlinit që realizohet jashtë kufijve. Kjo gjë ne na bën krenar dhe na jep kënaqësinë si vend të shfaqim fuqinë e mikëpritjes shqiptare, e cila besoj që po të kishte një konkurs në Europë do ta synonte me shumë dinjitet vendin e parë”- tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se “kemi përcaktuar edhe hapësirë për të diskutuar edhe për çështjet e fqinjësisë në rajon, por asgjë më shumë se kaq sepse s’është ky qëllimi i këtij samiti. Vërtet Tirana është kryeqyteti europian i Ballkanit, por s’është kërthiza e Europës politikisht, gjeografikisht mund ta diskutojmë”.
Von der Leyen vuri në dukje se duhen shfrytëzuar kapacitetet e Procesit të Berlinit, ndërsa shtoi se është diskutuar edhe për situatën në rajon.
"Kemi folur edhe për situatën në rajon, për domosdoshmërinë e një ecje të përbashkët të vendeve të rajonit, duke shfrytëzuar kapacitetet e procesit të Berlinit, kemi folur dhe për atë që sipas meje është risia sipas meje prej vitesh që nuk ka ardhur ne Tiranë thjeshtë për të përsëritur gjëra e njohura por edhe një plan të ri për Ballkanin Perëndimor për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Evropian", tha ajo.
Von der Leyen tha se Kosova dhe Serbia duhet të ulen në tryezën e dialogut, për normalizimin e marrëdhënies mes tyre.
“Marrëveshja e Ohrit është ato që u arritën në shkurt dhe mars, baza për pajtimin përmes dialogut të BE. Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehet në tryezë për normalizimin e marrëdhënies. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen sepse Kosova dhe Serbia do jenë pjesë e BE”, tha ajo.



