Shumë prej atyre që mbajnë kafshë shtëpiake e kanë përjetuar ndjesinë se kuptojnë emocionet e tyre – tundjen e bishtit, lehjen apo mjaullimën, por dëshira për të ditur saktësisht se çfarë duan të thonë kafshët ka qenë gjithmonë një ëndërr.
Tashmë, kjo ëndërr është më afër realizimit.

Shkencëtarët në mbarë botën po përdorin Inteligjencën Artificiale (AI) për të deshifruar gjuhën dhe emocionet e kafshëve, një fushë që po zhvillohet me shpejtësi të madhe.
Veterinerja Ornela Mebelli, në një intervistë për programin “Zgjohu me MCN”, tha se Inteligjenca Artificiale pritet të luajë një rol thelbësor në afrimin emocional mes njerëzve dhe kafshëve.
Së shpejti, AI do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë kafshët tona, qoftë ato shtëpiake apo të egra. Kjo do të jetë një ndihmë e madhe për pronarët e kafshëve, por edhe për veterinerët që do të jenë në gjendje të interpretojnë më saktë shqetësimet dhe nevojat e tyre.
Përmes analizimit të videove, zërave, mimikave dhe sjelljeve të ndryshme, AI po mëson të kuptojë emocionet, qëllimet dhe gjendjet shpirtërore të kafshëve. Kjo teknologji do të bëjë të mundur që një ditë të mund të komunikojmë në mënyrë më të drejtpërdrejtë me to, të kuptojmë çfarë kërkon një qenush apo si ndihet një mace.
AI do të kthehet në një mjet të fuqishëm për të kuptuar botëkuptimet e kafshëve. Do të jetë një hap i madh në drejtim të komunikimit ndër-species, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë emocionet, shqetësimet dhe dëshirat që ato duan të shprehin.
Ky përparim teknologjik pritet të ngushtojë distancën që ekziston sot mes botës së kafshëve dhe asaj njerëzore, jo vetëm në aspektin komunikues, por edhe emocional.



