Rritja e çmimeve të apartamenteve dhe praktika e blerjeve “në gropë” po shoqërohen me rreziqe të shtuara për qytetarët, ndërsa gjithnjë e më shumë raste përfundojnë në dyert e gjykatave.
Ekspertë të fushës ligjore dhe të tregut imobiliar ngrenë alarmin për kontrata të pasigurta, mungesë garancish dhe mbifurnizim në treg.
Avokatja Elona Berki thekson se një pjesë e madhe e konflikteve burojnë nga kontratat e sipërmarrjes, porosisë apo kleringut, të cilat shpesh firmosen pa u kuptuar plotësisht rreziku që mbartin.
Tregu dhe qytetarët sot mbase arrijnë të kuptojnë rreziqet që marrin përsipër kur mbyllin kontrata sipërmarrjeje apo porosie. Duke parë konfliktet e vazhdueshme dhe rreziqet që këto kontrata mbajnë, qytetarët kanë nisur të reflektojnë më shumë para se të firmosin.
Mund të jetë moment reflektimi që të shënojë edhe një rënie të porosive. Çmimi i lirë i blerjes në gropë është ajo që i shtyn, edhe pse garancia është shumë e ulët. Kemi kontrata pa afat, gjë që nuk është normale.
Në gjykata kemi pafund raste të tilla. Qytetarët mund të verifikojnë lehtësisht të dhënat e kompanive të ndërtimit, por shpesh një firmë e vënë pa vëmendje i çon në procese gjyqësore që zgjasin me vite.
Nga ana tjetër, eksperti i tregut imobiliar Armand Shkëmbi argumenton se tregu po përballet me mbifurnizim dhe me një fenomen mbiprodhimi, në një kohë kur popullsia është në rënie.
Kemi të bëjmë me mbifurnizim të tregut. Një Shqipëri që i pakësohet popullsia dhe një Tiranë e mbushur plot me ndërtime. Volumi është aq i madh sa ndjehet rënia e porosive.
Në tregun shqiptar ekziston tradita e blerjes së shtëpisë dhe paratë investohen në gropat e pallateve, nga bestytnia se çmimi do të rritet, pa llogaritur risqet. Jemi në fenomenin e mbiprodhimit dhe tregu ka hyrë në ftohje prej rreth dy vitesh. Mendoj se në vitin 2026 do të shohim shenja më të forta reagimi.
Duhet të mos lejohet më rishitja dy apo tre herë e të njëjtit produkt dhe të kufizohet fenomeni i blerjeve në gropë përmes firmave të kleringut, pasi shumë prej tyre nuk kanë kapacitetin për të përfunduar projektet.
Sipas ekspertëve, ndërgjegjësimi i qytetarëve, verifikimi i kujdesshëm i kompanive ndërtuese dhe zgjedhja e kontratave më të sigurta mbeten hapat kryesorë për të shmangur rreziqet në një treg që po shfaq shenja ftohjeje, por ende karakterizohet nga çmime të larta dhe pasiguri ligjore.



