
Gazetari i sportit, Edi Hajdini, në emisionin “SportZone” në MCN TV, duke folur për sfidën mes Partizanit dhe Laçit, u shpreh se të kuqtë e kishin përgatitur shumë mirë ndeshjen dhe ishin dominues gjatë gjithë takimit.
Më tej, Hajdini foli edhe për “Klasiken” e futbollit shqiptar, mes Tiranës dhe Vllaznisë, ku tha se një fitore e shkodranëve nuk do të ishte surprizë.
Me atë që treguan skuadrat në fushë, mu krijua përshtypja se Partizani e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen. I bllokoi të gjitha pikat kyçe Laçit. E njëjta gjë nuk ndodhi edhe me Laçin. Partizani jo vetëm që bindi me këtë fitore, por e vazhdoi aty ku e la me Egnatian. Në sfidën e parë të kuqtë, zhvilluan një ndehsje me dy fytyra. Në sfidën me Laçin, dominuan gjatë gjithë takimit. Duket që Partizani është ndërtuar për titull. Laçi çedoi në mesfushë, në krahasim nga ndeshja e parë.
Vllaznia nëse nuk do merrte fitoren me Kukësin, do futeshin në një presion të madh. Dihet kualiteti i madh dhe stafi i mirë te Vllaznia. Besohet se do të jenë një nga rivalët e denja për titullin kampion. Janë thënë fjalë të mira për Vllazninë dhe këtë nuk e zbeh ajo humbje në javën e parë. Do jetë një ndeshje e fortë dhe për titull me Tiranën, ndonëse është ende herët. Presim të shikojmë spektakël në këtë sfidë. Vllaznia e ka në ADN, që të luajë fort ndaj Tiranës. Nuk do të jetë surprizë nëse marrin fitoren në kryeqytet. Tirana, Vllaznia dhe Partizani, kanë treguar deri tani se do të jenë për titull, pavarësisht se është shumë herët.
Jo gjithmonë lëvizjet kthehen në rezultate. Unë i kthehem sezonit të kaluar, ku Dinamo është një pikë referimi. Në pamjen e parë, Egnatia duket një skuadër cilësore dhe e ndërtuar mirë, por deri tani nuk kanë dhënë një përshtypje të mirë. Edhe Teuta, me lëvizjet e fundit, mund të thuhet se ka bërë një merkato cilësore. Ardhja e Markut, apo edhe emrat e tjerë që janë bashkuar me durrsakët.
I pyetur për investimet dhe rezultatet e Egnatias deri tani, Hajdini deklaroi se trajneri Edlir Tetova është më i rrezikuari për tu shkarkuar nga të gjithë trajnerët e Superiores.
Tek Egnatia, përveç pjesës së cinizmit, mungojnë edhe rezultatet. Trajneri i ka në disfavor rezultatet. Egnatia ka edhe fatin e keq kundra, sepse ka përballje të vështira. Investimet janë të mëdha. Tetova është trajneri i parë që rrezikon pankinën. Skuadrat shqiptare kanë treguar se pas javës së katërt fillojnë të largojnë trajnerët. Tetova më duket më i kuotuari për tu larguar.



