
Donald Fa nga Kameruni dhe Dauda Ibrahim Dachia nga Nigeria janë dy shokë që jetojnë në Shqipëri.
Për shikuesit e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ata rrëfejnë historinë e tyre të veçantë për jetën në Tiranë, miqësitë e reja dhe dashurinë që kanë për kulturën shqiptare.
Dauda:
Kam ardhur në Shqipëri për studime në teologji.
Unë doja të studioja jashtë vendit dhe një profesor më tha se ekziston një universitet shqiptar ku mund të vazhdoja studimet. Vendosa Shqipërinë sepse nuk e njihja këtë vend dhe kur kërkova në internet, më pëlqeu shumë ajo që pashë, prandaj vendosa të vij.Kam tre vite këtu. Kur erdha nuk dija shqip dhe flisja vetëm anglisht. Brenda një viti mësova gjuhën, ndërsa tani po e studioj më me seriozitet sepse ka shumë rëndësi të di ta flas mirë.
Kam shumë miq shqiptarë dhe mundohem ta praktikoj çdo ditë.
E kuptoj shumë mirë shqipen, por disa fjalë nuk i shqiptoj dot.Një gjë që kam kuptuar këtu është se shqiptarët pijnë shumë cigare dhe rrinë gjatë në kafe.
Dauda ka mësuar edhe disa valle tradicionale. Kam parë miqtë e mi shqiptarë duke kërcyer dhe kam mësuar disa valle tradicionale. Më pëlqen shumë vallja kosovare, ajo shqiptare dhe ajo e Dibrës. Muzika është plot energji dhe më bën të ndjej atmosferën shqiptare.
Donald
Kam ardhur në Shqipëri sepse kompania ime kishte bashkëpunim me një nga Dhomat e Tregtisë së Shqipërisë, si urë lidhëse mes Afrikës dhe Shqipërisë.
Kam 10 vite që jetoj këtu. Shqipen e kam mësuar kryesisht nga televizioni dhe nga shoqëria shqiptare. Nuk kam ndjekur asnjë kurs.
Gjuha është e vështirë, por për mua jo aq shumë.Në Tiranë jam takuar me bashkëjetuesen time. Ishte një ditë e Botërorit dhe ne, disa afrikanë, kishim dalë të shikonim ndeshjen. Rastësisht u takuam aty. Ajo e flet shqipen më mirë se unë.
Nga dita e parë jam ndier i mirëpritur dhe njerëzit më kanë ndihmuar shumë.
Shqiptarët janë shumë kritikë ndaj qeverisë, por duhet kuptuar se ndryshimi fillon nga vetja, jo vetëm nga qeveria.



