Të gjithë pagesat për debitë e 90 mijë konsumatorëve familjarë dhe biznes i vogël do të ulen automatikisht nga kompania OSHEE, duke zbritur komatëvonesat që ata kanë, por duke lënë vetëm detyrimin e energjisë që kanë patur për të paguar.
Lajmi është konfirmuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, i cili sqaron se në kuadër të planit të hartuar nga qeveria për zbutjen e efektit negativ që krijon përballimi i emergjencës mjekësore të shkaktuar nga Covid-19, është vënë në zbatim paketa lehtësuese për klientët debitorë.
OSHEE, nënvizon se në total nga vendimi për faljen e kamatëvonesave përfitojnë 227,568 abonentë, prej të cilëve 205,228 janë familjarë dhe 22,340 konsumator biznes. Shuma totale e falur e kamatvonesave arrin në 15,8 miliard lek ose mbi 135 milion USD.
Këto masa lehtësuese përfshijnë borxhet e vjetra të akumuluara dhe nuk kanë të bëjnë me detyrimin e abonentëve për të paguar faturën e rregullt të konsumit mujor të energjisë i cili mbetet i njëjtë.
Kategoria e parë e përfituesve
Rezultojnë 90,194 abonentë, prej të cilëve 88,518 janë familjarë dhe pjesa tjetër subjekte biznesi, që aktualisht kanë një aktmarrëveshje me OSHEE për shlyerjen me këste të borxheve të akumuluara, krahas pagesës së faturës mujore.
Për këta abonentë, OSHEE ka vendosur të zbresë plotësisht vlerën e kamatvonesës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019. Shuma totale e falur për këtë kategori kap vlerën e 46 milion USD. Pjesa kryesore e kësaj shume, rreth 41 milion USD ka si përfitues abonentët familjarë ndërsa pjesa e mbetur konsumatorët e regjistruar si biznes.
Për të gjithë këta 90,194 mijë abonentë, OSHEE do të riskedulojë menjëherë aktmarrëveshjet aktuale duke u kryer zbritjen e kamatëvonesës së akumuluar deri në 31 Dhjetor 2019 dhe tanimë të falur.
Klientët familjar të cilët paguanin aktualisht sipas aktmarrëveshjeve përkatëse këste mujore 2500, 2800 apo 4200 lekë/muaj do të përfitojnë nga falja e kamatës duke paguar tashmë këste të reduktuara në vlerën 2000 lekë/muaj.
Kategoria e dytë e përfituesve
Sipas të dhënave të sistemit, rezultojnë 137,374 mijë abonentë debitorë (familjarë dhe biznese) të cilët nuk kanë një aktmarrëveshje të nënshkruar me kompaninë për shlyerjen e detyrimit të mbartur.
Këtyre abonentëve do tu ofrohet mundësia të jenë gjithashtu përfitues të faljes së kamatvonesës së krijuar deri më 31 Dhjetor 2019.
Për të përfituar faljen e kësaj vlere të kamatës, brenda datës 30 Qershor 2020 (nëse nuk ka reduktime të mëtejshme të orareve të qarkullimit), ata duhet të lidhin një aktmarrëveshje me kompaninë dhe të dakordësohen për të paguar me këste vetëm principalin e akumuluar deri në fund të vitit 2019.
Shuma totale e pritshme për tu falur për këtë kategori konsumatorësh arrin në mbi 89 milion USD.



