Studiuesi Ridvan Peshkepia, i ftuar në emisionin Arnautistan të gazetarit Mustafa Nano, theksoi se shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë përbëjnë një etni të vetme, të lidhur nga gjuha, kultura dhe kujtesa historike e përbashkët.
Ai vuri në dukje se kombi shqiptar u formësua në një kontekst gjeografik të vështirë, por u bashkua përmes gjuhës dhe veprimtarisë në qendra si Stambolli apo Sofja.
Sipas tij, historia e përbashkët nuk kërkon domosdoshmërisht lidhje politike, siç tregon rasti i figurës së Skënderbeut, i cili përqafohet si hero nga shqiptarët në të gjitha trevat, përtej përfshirjes së drejtpërdrejtë në veprimtarinë e tij.
Po ashtu Peshkëpia tha se arvanitët dhe arbëreshët nuk janë pjesë e kombit tonë.
Kombi është një ndërgjegje kolektive që shkon përtej elitave. Për sa kohë ke konceptin e kombit shqiptar, aty brenda e ke me doemos aspiratën politike. Nuk mund të ekzistojë një komb pa aspiratën politike. Ti ke arvanitët në Greqi, ose arbëreshët në Itali. Ata nuk janë pjesë e kombit shqiptar, ata janë pjesë e etnicitetit shqiptar, por nuk janë pjesë e projektit tonë politik.
Shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë janë një etni. Sepse kanë elementët socio-kulturorë dhe psikologjik që e bëjnë një enti, është histori e përbashkët, është gjuhë e përbashkët, kujtesë. Kemi histori të përbashkët, nën Perandorinë Otomane. Nuk ka nevojë që historia të jetë histori politike e përbashkët. Bekimi dhe mallkimi i kombit shqiptar është gjeografia. Një nga arsyet pse kombi shqiptar është ngjizur jo shumë më vonë se të tjerët, se në atë periudhë të gjithë kombet u ngjizën në gjysmën e parë të shekullit XIX. Dhe kombi shqiptar atëherë. Një nga vështirësitë që ka pasur për të ndërtuar një shtet ka qenë se ka qenë i ndarë me lugina, me male të larta, në lugina jetonin krahina të ndryshme që shpeshherë nuk lidheshin asnjëherë me njëri-tjetrin, por në fund fare një pjesë e konsiderueshme e tyre lidheshin në Stamboll. Kombi shqiptar nuk është ndërtuar as në Shqipëri, në Stamboll, në Sofje.
Miletet e tjera i kishin klubet në bazë miletesh. Shqiptarët i kishin klubet në bazë të etnicitetit dhe gjuha luante një rol shumë të rëndësishëm, ishte një gjuhë shumë unike që i lidhte së bashku.
Imagjinata, “Imagined Communities” është një libër ku thuhet që kombet janë komunitete të imagjinuara. Skënderbeu ka qenë figurë historike që ka mbledhur një pjesë të Shqipërisë, por si të thuash Skënderbeu nuk ka pasur histori luftarake ose politike në Kosovë. Por kjo nuk do të thotë gjë. Ata atje janë shqiptarë dhe përqafojnë Skëndërbeun. Shkupjanët janë shqiptarë dhe përqafojnë Skënderbeun si kujtesë e tyre historike.
Gjirokastritët e përqafojnë Skënderbeun pjesë të kujtesës së tyre historike megjithëse Zenebishët nuk ishin pjesë e Lidhjes së Lezhës.



