
Parlamenti pritet të mblidhet të martën për të miratuar dekretin e presidentit për shkarkimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm. Në kushtet kur presidenti nuk ka miratuar propozimin e kryeministrit Rama për dekretimin e Sandër Lleshit në këtë detyrë, maxhoranca pritet që me anë të votimit në Parlament t’i japë atij detyrën e zv.ministrit, me kompetencat e ministrit.
Sipas burimeve, vendimi është marrë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Në një postim në Tuiter lidhur me këtë vendim, Rama e ka konfirmuar vendimin e marrë nga grupi i PS-së, ndërsa shton se “nuk mbaron me kaq”.
“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”, shkruan kryeministri.
Ndërkohë, pak pas përfundimit të mbledhjes së grupit socialist, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka zhvilluar një takim me presidentin Meta, në zyrën e këtij të fundit.
Mosdekretimi i Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm nga presidenti Meta ka çuar dje kryeministrin Rama në Presidencë. Takimi në zyrën e kreut të shtetit erdhi me kërkesë të vetë kryeministrit Rama, një ditë pasi Meta njoftoi mosdekretimin e propozimit të Ramës për postin e ministrit të Brendshëm.
Në një njoftim të shpërndarë nga Kryeministria pas takimit, thuhet se “bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”.



