
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka dhënë për herë të parë një intervistë për mediat amerikane, me gazetarin Tucker Carlson ku ka folur për luftën në Ukrainë në prag të 2 vjetorit të nisjes së sulmeve të Rusisë.
Putin iu drejtua Kongresit Amerikan duke u bërë thirrje që nëse vërtet duan përfundimin e luftës në Ukrainë, duhet të ndalojnë furnizimin me armë.
Sipas tij, një plan për paqen ishte thuajse i finalizuar mes 2 vendeve por u hodhën poshtë nga Ukraina e cila vijoi t’i bindej urdhrave të perëndimit.
“Planet e paqes pothuajse ishin finalizuar, por Ukraina i hodhi ato dhe iu bind urdhrave të Perëndimit për të luftuar Rusinë deri në fund”- tha Putin.
Mesazhi i Rusisë për SHBA-në, tha Putin, është: “Nëse vërtet dëshironi të ndaloni luftën, duhet të ndaloni furnizimin me armë. Do të përfundojë brenda pak javësh.”
Putin tha se hera e fundit që foli me Joe Biden ishte përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën.
“Unë i thashë, atëherë, besoj se ju po bëni një gabim të madh të përmasave historike duke mbështetur gjithçka që po ndodh atje, në Ukrainë, duke e larguar Rusinë”, tha Putin.
Rusia është “gati të flasë” për lirimin e Gershkoviçit, tha Putin, por shtoi: “Ne duam që shërbimet speciale amerikane të mendojnë se si mund të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve që po ndjekin shërbimet tona speciale”.
Pretendimi dukej se binte në kundërshtim me Shtëpinë e Bardhë, e cila tha në dhjetor se Rusia kishte refuzuar një propozim thelbësor për lirimin e Gershkovich dhe Paul Whelan, një ish-marins amerikan që vuante një dënim 16-vjeçar në Rusi për akuzat e spiunazhit.
Putin nuk iu përgjigj pyetjes nëse është i kënaqur me territoret e aneksuara, duke vazhduar të fliste për denazifikimin. Mes të tjerash presidenti rus u shpreh se ai vendosi të ndërmarrë veprime pasi udhëheqja e Ukrainës “deklaroi se nuk do të zbatonte marrëveshjet e Minskut”.
“Ne kemi folur për këtë gjatë gjithë kohës me SHBA-të. Ne i bëmë thirrje udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane që të ndalojnë menjëherë këtë zhvillim, të zbatojnë marrëveshjet e Minskut”, deklaroi Putin.



