
Të paktën 116 persona kanë vdekur në një luftë mes bandave rivale në burgun e Ekuadorit, , duke e bërë atë dhunën më të keqe të burgut në historinë e vendit.
Të paktën pesë të burgosurve u janë prerë kokat në përleshjet e së martës në qytetin Guayaquil, ndërsa të tjerët u qëlluan për vdekje.
Penitenciare Litoral strehon të burgosur nga bandat ekuadoriane që mendohet se kanë lidhje me kartelet meksikane të drogës. Konsiderohet si një nga burgjet më të rrezikshme në vend.

Komandanti i policisë Fausto Buenaño thotë se të burgosurit hodhën edhe granata. U deshën 400 policë për të rimarrë kontrollin.
Mediat lokale raportojnë se kryengritja u urdhërua nga banda të fuqishme meksikane të trafikut të drogës që tani po veprojnë në Ekuador.
Drejtori i shërbimit të burgjeve të Ekuadorit Bolivar Garzón i tha radios lokale se situata ishte "e tmerrshme".

"Dje, policia mori kontrollin në orën 14:00 [me kohën lokale], por mbrëmë pati të shtëna të tjera, shpërthime dhe sot në mëngjes morëm kontrollin total. Ne po hyjmë në pavionet ku kishte konflikt dhe po zbulohen më shumë trupa", tha ai.
Presidenti Guillermo Lasso ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në sistemin e burgjeve. Ai njoftoi planet për të përshpejtuar procesin e lirimit të atyre të burgosurve që kishin shërbyer pjesën më të madhe të kohës ose kishin kryer krime të vogla për të lehtësuar mbipopullimin.



