
Radio Televizioni Shqiptar, ka zgjedhur drejtorin e saj të ri Enkelejd Joti, me 7 vota pro, nga 9 anëtarë të këshillit.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar Partia Demokratike e cila e ka konsideruar të paligjshëm votimin. Në emër të PD-së, kryetarit të Komisionit të Medias, Agron Gjekmarkaj tha se Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të marrë vendime që përcaktojnë kush do të drejtojë median për sa kohë sipas tij aty nuk ka prezencë të opozitës.
Mes të tjerash ai tha se PD i konsideron nul të gjitha vendimet e tij, teksa shton se ligji parashikon që Këshilli Drejtues të jetë i balancuar politikisht, ndërsa sipas tij kryeministri Rama e hodhi ‘në erë’ këtë parim.
Partia Demokratike e konsideron të paligjshëm votimin për drejtorin e ri të Radio Televizionit Shqiptar. Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të marrë vendime që përcaktojnë kush do të drejtojë median, për te cilën shqiptarët, me apo pa parti, paguajnë taksë.
Përsa kohë opozita është e përfaqësuar në këtë Këshill dhe disa anëtarë të saj janë zgjedhur në parlament pa pëlqimin e PD, ne i konsiderojmë nul të gjitha vendimet e tij.
Ligji parashikon që Këshilli Drejtues të jetë i balancuar politikisht në mënyrë që të garantohet jo vetëm përfaqësimi, por edhe pavarësia, integriteti dhe autoriteti i këtij enti publik. Me emërimin e sotëm, Edi Rama e hodhi në erë këtë parim, duke u provuar edhe një herë si armik i ligjit dhe i pavarësisë së medias.



