Ndryshimet e shpeshta të drejtuesve në Kadastrën e Vlorës dhe përplasja e fundit e shënuar mes Luan Muçës dhe Vasil Bedinajt kanë rikthyer në vëmendje krizën e thellë të menaxhimit të pronave në bregdetin e jugut.
I ftuar në studion e lajmeve në MCN TV, gazetari Ferdinand Dervishi, ka bërë një analizë të fortë të situatës, duke e cilësuar ngjarjen si një tregues të qartë të dështimit dhe kapitullimit të strukturave shtetërore përballë vetëgjyqësisë.
Sipas Dervishit, paqëndrueshmëria institucionale në Vlorë është një rast unik që dëshmon se shteti e ka humbur kontrollin mbi institucionet e tij.
Vitet e fundit në Vlorë janë ndërruar tetë drejtues të hipotekës dhe ende nuk është gjetur qetësi. Kjo tregon qartë se shteti nuk mban dot në këmbë institucionet e veta. Mund të jemi nga shtetet e rralla në botë që na ndodh një gjë e tillë”, u shpreh gazetari Ferdinand Dervishi, duke vënë theksin te ngjarjet e fundit që tronditën qytetin bregdetar.
Më tej, gazetari analizoi me tone kritike degradimin e sigurisë dhe rikthimin e metodave të dhunshme për zgjidhjen e konflikteve, duke bërë një paralelizëm me periudhat më të errëta të historisë së vendit apo me vendet e sunduara nga kartelat.
Ajo që ka ndodhur është një vetëgjyqësi e pastër, e cila ndodh vetëm në një shtet që nuk funksionon. Po të funksiononte shteti, problemet nuk do të zgjidheshin me forcën e protagonistëve apo të miqve të tyre. Kemi një regres të pafalshëm të shoqërisë shqiptare që të kujton vitin 1997, ku gjërat vendoseshin me vetëgjyqësi. Sa i përket ngjarjes konkrete, është tejet e rëndë që ditën me diell të shohësh makina me armë. Kjo ndodh në Kolumbi. Pse këta njerëz që bëjnë këto punë nuk kanë frikë? Përgjigja është se ata po bëjnë vetëgjyqësi sepse shteti nuk funksionon.
Duke u ndalur te zanafilla e konfliktit specifik, Dervishi zbardhi detaje mbi pronën e lakmueshme në Dhërmi që u bë mollë sherri mes palëve, duke shpjeguar se si një pronë shtetërore kaloi me shpejtësi në duar private vitet e fundit.
Bëhet fjalë për një pronë shumë të lakmueshme në Dhërmi, ku Luan Muça ka një pronë të tijën atje, të blerë apo të marrë. Ngjitur me të ishte një tjetër pronë shtet, për të cilën ai kishte hyrë në tratativa për ta marrë. Por, në dy-tri vitet e fundit, asaj prone i dalin pronarët privatë. Pra, kaloi nga pronë shteti në pronë private. Ndërhyrja është bërë vitet e fundit dhe këta persona janë pajisur me dokumente.
Sipas tij, pikërisht ky ndryshim i pronësisë ka ngritur dyshime të mëdha për falsifikim dhe ka shkaktuar humbje të mëdha financiare për investitorin, çka çoi edhe në degradimin e situatës.
Luan Muça pretendon se këto dokumente janë të falsifikuara të gjitha, sepse sipas tij nuk ka se si të ndodhë që deri në vitin 2022 të jetë pronë shteti dhe për dy vitet e fundit të bëhet me pronarë privatë. Luan Muça kishte investuar ndërkohë atje dhe kishte bërë llogaritë e veta. Nuk është çudi që, nga dëmi që i është bërë, shifrat për të cilat flitet të shkojnë deri në 5 milionë euro. Po përflitet e gjitha kjo skemë, megjithëse nuk e dimë ende nëse do të ketë një hetim zyrtar.



