Aktori i humorit Florjan Binaj, do të jetë kandidati i pavarur që do të mbështetet nga PD-ja në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Tiranë.
Kreu i PD Sali Berisha konfirmoi mbështetjen për Binajn përmes një deklarate për mediat pas mbledhjes së mbajtur në selinë blu.
Berisha tha që grupi i mandatuar nga PD do t'u paraqesë aleatvve sugjerimin për të mbështetur artistin e njohur.
"Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj".



