Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me një kulturë të re që nuk ishte përqafuar më parë nga politikanët. Bëhet fjalë për ‘teoritë e çmendura të komplotit’, siç e quan ish-presidenti i Amerikës Barak Obama, atë të cilën po bën Donald Trump.
Presidenti në fuqi i SHBA-ve thotë se ‘do të vazhdojë betejën ligjore’ për zgjedhjet e dy nëntorit nga të cilat i fituar doli kandidati demokrat Joe Biden, që do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë në janar të 2021.
Në intervistën e dhënë për BBC Barak Obama thotë se SHBA-të janë ndarë edhe më ashpër se katër vite më parë kur Trump mposhti Hillary Clinton në zgjedhje, por gjithashtu shton se me fitoren e Biden këto ndarje do të mbyllen.
‘Do të duhet më shumë se një palë zgjedhje për të ndryshuar këtë kulturë,’-thotë Obama.
"Ne jemi shumë të ndarë tani, sigurisht më shumë sesa kur unë kandidova për herë të parë në 2007 dhe fitova presidencën në 2008," thotë ish-presidenti. Ai sugjeron që kjo, pjesërisht, i atribuohet Trump i cili ka nxjerrë mbështetësit e tij për të protestuar për kontestimin e zgjedhjeve.



