Tre deputetë të Kuvendit të Shqipërisë janë nën hetim në lidhje me dekriminalizimin. Deputetët në fjalë janë dy nga koalicioni i majtë dhe një tjetër nga e djathta, raporton “Panorama”.
Zyrtarisht Prokuroria nuk pranon të bëjë asnjë koment në lidhje me hetimet apo edhe verifikimet që po kryhen për një numër zyrtarësh, që në total po arrin në 600. Megjithatë, burimet jozyrtare të organit të akuzës pohojnë se në tre deputetët që po hetohen, dyshohet se njëri prej tyre nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një ndalim nga policia.
Ndërkohë, dy deputetët e tjerë dyshohet se kanë dënime të padeklaruara në Itali dhe në Zvicër. Siç dyshohet, nga ana e Prokurorisë, dënimet e dhëna ndaj dy deputetëve të së majtës, variojnë nga 10 deri në 15 vjet burg dhe kanë të bëjnë me trafiqe të paligjshme e shpërndarje droge. Hetimet mësohet se kanë nisur nga sektori i verifikimeve për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme i krijuar enkas në pranverën e këtij viti, pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për dekriminalizimin”.



