
Qyteti i Vlorës përballet prej katër ditësh me një krizë të paprecedent të furnizimit me ujë. Një defekt në linjën kryesore të ujësjellësit, me diametër 1000 mm, ka ndalur furnizimin e depove të qytetit.
Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka tentuar të gjejë zgjidhje alternative, por deri më tani pa rezultat.
Gjergji Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak në Vlorë tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se situata në qytetin bregdetar është kaotike dhe ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit, arrogancës së pushtetit dhe njerëzve të papërgatitur.
Sipas Nikës Bashkia e Vlorës nuk duhet të heqë përgjegjësinë e saj nga kjo situatë.
Nuk ka lidhje natyra në këtë pjesë. Ishte dëmtim që mund të ndodhë rëndom. Ideja është që dëmtime dhe problematika ka, por problemi është sa e riparon ujësjellësi. Një problematikë rregullohet 24-48 orë, jo 4-5 ditë. E shoh si keqmenaxhim, arrogancë dhe njerëz të papërgatitur.
Për të mos folur për gropën që kanë hapur që e kanë kthyer në atraksion. Situata është kaotike dhe qytetarët kanë të drejtë të protestojnë. Jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset. Turistët u larguan të lebetitur nga qyteti.
Bashkia e Vlorës nuk mund ta heqë përgjegjësinë nga kjo gjë.
Bashkia ka rol, njëlloj si ujësjellësi, duhet të kërkojë llogari dhe kryetarja duhet të ishte në bashki t’i përgjigjej qytetarëve. Në muaj e fundit kemi pasur dhe protesta të tjera.
Në ujësjellës janë investuar 60-70 milionë euro, si ka mundësi që nuk ia pajisjet që duhen. Janë miliona euro të abuzuara.
Ajo nuk është tub që duhet të vijë nga Turqia, por një pjesë që lidh dy tuba. Por kur ke tuba specifike në magazinë duhet të ketë pjesë për t’i riparuar. Nuk e quaj normal të mos ketë pjesë këmbimi.



