Duke folur mbi komentet e kryeministrit, analisti Ben Andoni tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se Shqipëria s’e ka fuqinë e shtetit amerikan që të vendosë ekuilibra, që arrihen përmes bursës dhe institucioneve që luftojnë kartelet e monopolet.
Po ashtu ai thekson se deklaratat e Ramës për “ministra sipërmarrës” bien ndesh me ideologjinë e majtë. Sipas Andonit qeveria Rama është më e djathtë se ajo Berisha.
"Nuk e besoj se është një model i suksesshëm ky që kemi adoptuar, se po të ishte i suksesshëm s’do ishin larguar aq shumë njerëz nga Shqipëria dhe prodhimi vendas do jepte frytet e veta, dhe Shqipëria do kishte balancim të fushave që mbajnë GDP-në e saj, si bujqësia, turizmi. Bujqësia dhe turizmi lënë shumë për të dëshiruar. Janë problematike infrastruktura, shërbimet, etj. Nuk e ça modeli ka në kokë z.Rama. Është forum ku individ që kryesojnë vende të vogla kanë të drejtë të bëjnë monologje dhe të merren me Europën. Ndërkohë që Europa, Gjermania, po përgatiten për luftë. Z.Rama po i tregon Europës si mund të qeverisës, me një qeveri në dukje të majtë, por që është mirëfilltë e djathtë. Rama sikur të ishte i pastër ideologjikisht, të paktën mund ta kalonte partinë drejt qendrës. Është e vërtetë që shteti ynë ndërhyn, por ndërhyn në mënyrë selektive, dhe s’e ka fuqinë e shtetit amerikan që di të vendos ekuilibrat, që do u duhen brezave. Ne jemi një vend që s’kemi ndonjë peshë të madhe, dhe këtë duhet ta kuptojë i pari z.Rama. Ministrat sipërmarrës, të ashtuquajtur, vërtet kanë përvojë, z.Gonxhe ka përvojë, por kjo s’ka mjaftuar që ne të kemi qasje të mirë në probleme të infrastrukturës. Shikoni sa aksidente ka, dhe cilësinë e makinave. Pjesa që mendon z.Rama e para bie ndesh me ideologjinë, sepse s’mund të ketë sipërmarrës te e majta. Kur kalon te pjesa amerikane është jashtëzakonisht e tepëruar. Ata kanë mekanizma ku kapitali balancohet. Një nga rregullatorët është bursa dhe përballja e institucioneve që s’lënë kartelet dhe monopolet”.
Lidhur me integrimin europian, Andoni tha se beson që Shqipëria do të integrohet në bllok me vendet e tjera, ku përfshihet edhe Ukraina. Sa i takon qeverisë së re Rama, Andoni beson se kabineti i ri do jetë me “teknicienë pa shpirt”.



