
Gazetari Andi Bushati thotë se konflikti Izrael-Palestinë nxori në pah mungesën e ndjeshmërisë që ka kasta politike ndaj sentimentit të shumicës së shqiptarëve. Në studion e “Të Paekspozuarit”, Bushati theksoi se një popull që ka njohur kalvarin e kosovarëve nuk mund të jetë josensitiv ndaj kalvarit të palestinezëve, ndërsa shtoi se e vërteta atje ku ndodh konflikti është shumë më komplekse se ajo që tregohet në sallonet e politikës.
Nuk gjykoj dot, duhet të kesh bagazh historik. Më shqetëson si përkthehet në Shqipëri. Ky konflikt këtu po na shërben të kuptojmë që kemi një kastë që është e pandjeshme ndaj sentimentit të shumicës së shqiptarëve. Të dëgjoje Edi Ramën në krah të macronit bënte një përkthim të pështirë e të neveritshëm, ku fliste për fatin e Palestinës. Kur Edi Rama guxoi t’i kundërvihej kërkesës së Trumpit për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet, opozita u bë më katolike se papa. Është një kastë që nuk do t’ia dijë për të vërtetat historike. Njerëzit nuk e besojnë diskursin që serviret në media. Një popull që ka njohur kalvarin e kosovarëve nuk mund të jetë josensitiv ndaj kalvarit të palestinezëve. Shkoni në Hebron që të shihni çfarë do të thotë pushtim, një forcë ushtarake që shkel mbi fëmijët. E vërteta është shumë më komplekse sesa ia tregon një ambasade.



