
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, publikoi sot dokumente autentike të vitit 1938, që ndalojnë tjetërsimin e pronës te Teatri Kombëtar.
Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, Tabaku bëri publike kontratën e shitjes së truallit nga familja Libohova te shteti italian. Kontrata specifikon se trualli nuk mund të përdoret për asgjë tjetër përveçse për teatër.
“Unë sot këtu po publikoj kontratën e shitblerjes nënshkruar në vitin 1938 nga familja Libohova, që i është shitur përfaqësuesit të shtetit italian. Në kontratë thuhet specifikisht që ai që e blen truallin, nuk e përdor dot për asnjë destinacion tjetër, përveçse për Teatër. Qeveria italiane që atëherë më largpamëse sesa qeveria shqiptare, e cila sillet si pushtuese e trojeve publike”, tha Tabaku.
Sipas kontratës, prona me sipërfaqe prej 10 625.31 metra katrorë është blerë nga Francesco Jacomoni për llogari të Mbretërisë Italiane për 7 franga floriri/metri katror. Në total 74 377.17 monedha floriri.



