
Edhe SHBA bëhet pjesë e debatit që hapi deklarata e Papa Franceskut për nisjen e një procesi bisedimesh paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Presidenti Biden ka respekt të madh për Papa Françeskun dhe i bashkohet atij në lutjet për paqen në Ukrainë që mund të arrihet nëse Rusia vendos t'i japë fund kësaj lufte të padrejtë dhe të paprovokuar dhe të tërheqë trupat e saj nga territori sovran i Ukrainës”, i tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA agjencisë ANSA.
“Fatkeqësisht ne vazhdojmë të mos shohim asnjë shenjë se Moska dëshiron t'i japë fund kësaj lufte dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të përkushtuar të mbështesim Kievin në mbrojtjen e tij kundër agresionit rus”, theksoi zyrtari.
Pak ditë më parë, Papa Francesku ftoi Ukrainën të ngrinte flamurin e bardhë dhe të ulej në bisedime me Moskën. Por Kievi u përgjigj se i vetmi flamur që do të ngrejë është flamuri i Ukrainës.



