
Kreu i PD-së Sali Berisha ka mbajtur sot një tryezë bashkëbisedimi me figura të shoqërisë civile në vend, nga ku u shpreh se Rama po zëvendëson projektin e madh të integrimit në BE me “Ballkanin e Hapur”.
Edi Rama sillet në këtë vend, në disa aspekte individuale si asnjë person zyrtar i lartë në historinë e këtij vendi. Edi Rama me vendimet që merr, dëshmoi se shpërfill çdo interes qytetar, të grupeve të interesit, apo kombëtar. Imagjinoni ju, për projektin më të madh kombëtar të shqiptarëve, projekti i Shqipërisë në familjen e kombeve të zhvilluara evropiane, ky zotëri me një kurajo të jashtëzakonshme nxjerr në treg këtë projekt, dhe pa marrë mendimin e askujt e zëvendëson me Ballkanin e Hapur, projekt i hegjemonisë serbe në rajon dhe influencës ruse në rajon”.
Po ashtu kryedemokrati theksoi se çmimet në vend janë 100 për qind më të shtrenjta nga viti 2014, ndërkohë që paga e tyre nuk është rritur. Berisha tha se po shkatërrohet shtresa e mesme dhe po largohet nga Shqipëria.
Qeveria thotë se ata janë kompensuar dhe nuk kanë asnjë dhimbje. Një tallje cinike me dhimbjen e njerëzve që sot blejnë ushqimet 100% më shtrenjtë nga viti 2014. Por që paga e tyre jo vetëm që nuk është rritur por është ulur në krahasim me vitin e kaluar. Ato kanë një synim të vetëm, spastrimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Kishte deklaruar se deri në vitin 2029 nuk do të ketë taksa për profesionet e lira, kthehet tani me një paketë fiskale që i çon ata në falimentim. Kjo sjell largimin e shtresës së mesme nga Shqipëria dhe shkatërrimin e kësaj shtrese. Nuk ka mekanizëm më të suksesshëm për të shkatërruar një shoqëri se sa t’i shkatërrosh shtresën e mesme dhe biznesin e vogël. Këtu beteja ka filluar me këto, në mënyrë që të përzëmë sa më shumë prej tyre. Janë përzënë me mijëra mjekë, me hartën gjyqësore do të largohet dhe mijëra avokatë”.



