Sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar shefin e agjencisë së inteligjencës së Pentagonit, vetëm disa javë pas një qortimi nga Shtëpia e Bardhë ndaj një rishikimi që vlerësonte ndikimin e sulmeve amerikane ndaj Iranit, raportuan mediat amerikane.
Raportet sugjerojnë se gjenerallejtënant Jeffery Kruse nuk do të shërbejë më si kreu i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA). Dy komandantë të tjerë të lartë ushtarakë janë shkarkuar gjithashtu nga Pentagoni.
Departamenti i mbrojtjes nuk ka ofruar asnjë shpjegim të menjëhershëm mbi shkarkimet.
Në qershor, Presidenti Donald Trump kundërshtoi me forcë një raport të publikuar të DIA-s, i cili zbuloi se sulmet ndaj Iranit vetëm sa e kishin penguar programin e tij bërthamor me muaj. Shtëpia e Bardhë e deklaroi vlerësimin e agjencisë si "krejtësisht të gabuar".
Trump i kishte deklaruar lokacionet bërthamore në Iran "plotësisht të shkatërruara" dhe kishte akuzuar median për "një përpjekje për të poshtëruar një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori".
DIA është pjesë e Pentagonit dhe specializohet në inteligjencën ushtarake për të mbështetur operacionet. Ajo mbledh sasi të mëdha inteligjence teknike, por është e ndryshme nga agjencitë e tjera si CIA.



