Takimi kokë më kokë mes kreut të maxhorancës dhe atij të opozitës ka përfunduar me arritjen e marrëveshjes së shumëkërkuar javët e fundit. Këtë fakt e konfirmuan secili prej tyre në daljet para mediave në përfundim të takimit kokë më kokë në kryesinë e Kuvendit. Mësohet se marrëveshja e arritur mes Ramës dhe Bashës bazohet në paketën “McAllister+”, por detaje të tjera do të bëhen të ditura sot.
Rama e Basha i dhanë dorën njëri tjetrit tek dera e kryesisë dhe më pas kreu i opozitës iu drejtua çadrës ku përcolli këtë mesazh: “Dua të ndajme ju se lajmin e mirë se u arrit marrëveshja e cila do i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Orët në vazhdim do të bëhet detajimi i marrëveshjes me qëllim konfirmimin e çdo detaji. Sipas marrëveshjes së bërë sot realitet nesër nisim përgatitjet për ti dhënë vendit zgjedhje të lira e të ndershme”. Ndërkohë, në lidhje me çadrën, Basha tha se ajo do të mbyllet menjëherë pas zbardhjes së pikave të marrëveshjes.



