
Disa pacientë të infektuar kanë përjetuar atë që është cilësuar si “Covid i zgjatur”, që i referohet tejzgjatjen e sëmundjes pas marrjes së virusit, me që përfshijnë probleme në frymëmarrje, migrenë dhe lodhje kronike.
Sipas një studimi të publikuar një ditë më parë nga ‘MedRxiv’ ka zbuluar se, shumë nga ata që vuajnë nga zgjatja e simptomave të sëmundjes e kanë të pamundur që të rikthehen në punë me kapacitetin e tyre të plotë edhe pas 6 muajsh.
Në studim studiuesit anketuan 3,762 njerëz të moshës 18 deri në 80 vjeç nga 56 vende për të identifikuar simptomat dhe çështje të tjera që burojnë nga “Covid i zgjatur”.
Nga studimi u regjistruan 205 simptoma në 10 sisteme organesh, me 66 simptoma të gjurmuara gjatë shtatë muajve. Mesatarisht, të anketuarit përjetuan simptoma në nëntë sisteme organesh.

Simptomat më të shpeshta të përjetuara pas gjashtë muajsh ishin: lodhja mendore dhe fizike, lodhja pas stërvitjes dhe mjegullimi i mendjes, si mosfunksionim i sistemit njohës.
Mbi 45% e të anketuarve raportuan se kërkonin një orar të reduktuar pune dhe 22.3% thanë se nuk po punonin në kohën kur u bë studimi për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Pothuajse 86% kanë përjetuar përkeqësim të gjendjes sëhndetësore, me stërvitjen, aktivitetin fizik ose mendor dhe stress, të identifikuar si shkaktarët kryesorë.
"Ne nuk duhet ta harrojmë ‘Covid-in e zgjatur’. Mijëra raste të reja po regjistrohen çdo ditë. Vaksinimi është jetik por duhet të bëhet në mënyrë efektive dhe të mbështetet nga masa të tjera kontrolli”, tha Dr. Gabriel Scally, një nga drejtuesit e studimit.
Rezultatet e studimit vijnë ndërsa vendet në të gjithë Evropën imponojnë masa të reja të rrepta izoliomi në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Më shumë se 85 milionë njerëz në të gjithë botën janë infektuar me Covid dhe 1.85 milionë persona kanë humbur jetën nga virusi, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.



