Gjatë javës në vijim, moti në Shqipëri do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash, sipas parashikimeve nga IGJEUM.
Meteorologia Anira Gjoni tha për “MCN Live” se, ndonëse reshjet do të jenë të pakta në fillim të javës, temperaturat do të mbeten të larta për periudhën.
Kjo javë do të jetë kryesisht me mot të qëndrueshëm në pjesën më të madhe të vendit, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, veçanërisht gjatë 2-3 ditëve të para.
Reshje të dobëta lokale priten kryesisht në zonat malore gjatë ditës së hënë, ndërsa në pjesët e tjera të vendit parashikohet mot i kthjellët me vranësira të herëpashershme.
Temperaturat do të vijojnë të jenë të lart, në zonat bregdetare: minimale rreth 21°C, ndërsa maksimalet deri në 28°C, në zonat e ulëta: minimale rreth 19°C dhe maksimalet deri në 30°C dhe në zonat malore: temperaturat minimale do të shënojnë rreth 13°C, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 27°C.
Temperaturat maksimale ditore pritet të arrijnë deri në 31°C të paktën deri të mërkurën.
Ndryshimi më i ndjeshëm, sipas meteorologes, pritet ditën e enjte, kur reshjet do të rikthehen në të gjithë territorin.
Të enjten dhe të premten presim rikthim të reshjeve në pjesën më të madhe të vendit.
Reshjet do të jenë kryesisht të dobëta deri mesatare, më të theksuara në veri.



