Fshati Oymyakon në Siberi është vendi më i ftohtë i banuar në Tokë. Temperaturat mund të arrijnë deri në -62 gradë celcius, madje edhe më shumë. Kjo sipas “Siberian Times”, e cila në një raportim të kohëve më parë shkruante se termometri i vendosur jashtë nga bashkia kishte ndaluar së punuari, pasi temperatura kishte rënë poshtë minimumit që kishte instrumenti matës.
Po acari i madh nuk është arsye që njerëzit të rrinë të mbyllur brenda. “Pushimet tona në fshat”, shkruante një grua bashkëngjitur fotos me të birin në borë.
Në fshat, shkollat mbyllen nëse temperaturat bien nën -53 gradë. Në nëntor, atje temperaturat arritën 50 gradë nën zero, por kjo nuk ishte arsye për të mos shkuar në shkollë.
24-vjeçarja Nastya mori një vëmendje të jashtëzakonshme në “Instagram”, ku postoi një foto të vetën me qerpikët që i kishin ngrirë. “Minus 47 gradëC, 15-20 minuta ecje në këmbë dhe do të kesh mbi qerpikë rimelin më natyral në botë”, shkruante ajo.
Banorët atje habiten me gazetarët, të cilët i marrin shpesh në telefon për t’i pyetur si mund të jetojnë atje. “Për ne këto temperatura janë gjë e zakonshme. Na duket e çuditshme kur na telefonojnë. Unë u them: Ejani dhe shikojeni vetë. Bëjmë një jetë të zakonshme”, thotë Semyon Vinokurov.
Në vitin 1933, kur temperaturat ranë në -68 gradë celcius, kur fshati u regjistrua në Guinness si vendi më i ftohtë në botë me banorë të përhershëm. Në globin tokësor, i vetmi vend ku mund të bëjë më ftohtë është Antarktida.



