Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin e gonorreas, sëmundje seksualisht e transmetueshme, e cila është forcuar duke u rezistuar kurave të zhvilluara nga mjekësia deri tani.
Supergonorrea, një variant i sëmundjes që ka pësuar mutacion, mendohet se ka prekur shumë njerëz deri tani.
Rreth 78 milionë njerëz infektohen me gonorrenë e zakonshme çdo vit në botë, por virusi i ri që u reziston antibiotikëve duket se e ka origjinën pikërisht në një trajtim të gabuar.
E transmetuar përmes seksit oral, kjo sëmundje ka simptomat e zakonshme dhe doktorët e kurojnë me antibiotikët e zakonshëm, por kur këta të fundit bashkohen me bakterin, krijojnë një variant të ri që u reziston antibiotikëve.
Mjekët kanë konstatuar se dy antibiotikët e zakonshëm që përdoren për trajtimin e kësaj sëmundjeje, ceftriaxone dhe azithromycin, po bëhen gjithnjë e më të paefektshëm.
“Bakteri ka evoluar dhe po u reziston antibiotikëve”, thotë dr. Teodora Wi.
Infeksioni seksualisht i transmetueshëm që prek zonat që përfshihen në raporte seksuale është i dyti në listën e infeksioneve të kësaj natyre në SHBA, ku 820 mijë pacientë në vit paraqiten te mjeku dhe diagnostikohen me këtë sëmundje. Por varianti i ri i sëmundjes ka edhe një specifikë tjetër: në shumicën e rasteve nuk ka simptoma dhe kjo bën që pacienti të mos e dijë se është prekur për një farë kohe.
Nëse nuk trajtohet, gonorrea mund të shkaktojë djegie gjatë urinimit, inflamacion, sekrecione dhe probleme fertiliteti te gratë. Gjithashtu, ajo rrit rrezikun e virusit HIV. Sëmundja përhapet në rrugë seksuale, por edhe nga nëna te fëmija gjatë procesit të lindjes.
Tri ilaçe të reja po testohen nga kompanitë farmaceutike por nuk dihet se kur ato mund të mbërrijnë në treg. Deri atëherë, ekspertët nuk mund të rekomandojnë tjetër përveçse seksit të sigurtë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



