
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nuk ka bërë ende asnjë renditje të kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm. Edhe pse vetë ky këshill pati njoftuar mbledhjen të hënën e 23 shtatorit për publikimin e listës me renditjen e pikeve për secilin nga kandidatët për kreun e ri të organit të akuzës që pritet ta drejtojë në 7 vitet e ardhshme. Pavarësisht deklaratave të herë pas hershme të kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, se së shpejti vendi do të ketë kryeprokurorin e ri, ky ngërc institucional, po zgjat në kohë mandatin e kreut të organit të akuzës, prokurores së përgjithshme të Përkohshme, zonjës Arta Marku.
Por shtyrjen e mbledhjes, kabineti për shtyp i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e argumenton me faktin se Komisioneri Publik nuk ka dërguar njoftimin zyrtarz pranë këtij këshilli për anikimin ose jo, të njërit prej kandidatëve në garë, prokurorit Olsian Çela.
“Për shkak se nuk ka mbërritur zyrtarisht letra e Komisionerit Publik për ankimimin ose mos ankimimit e vendimit të KPK së datës 4 Shtator 2019 , për kandidatin për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Olsi Çela, mbledhja e Këshillit shtyhet për ditën e mërkurë”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Menjëherë pas shtyrjes së mbledhjes për publikimin e listës me tre emra që pritet t’i përcillen Kuvendit për Prokuror të Përgjithshëm, ka reaguar Komisioneri Publik.
Në njoftimin e këtij institucioni, thuhet se vendimi i konfirmimit në detyrë i prokurorit Çela nga ana e KPK-së, i është njoftuar Komisionerit Publik në datë 6 shtator. Për këtë Komisiononeri Publik, sqaron se afati ligjor për ankimimin e z.Çela është përmbyllur të hënën, ndërsa shton se të gjitha vendimet e marra nga Komisionerët Publikë, për të ushtruar ose jo ankim ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, publikohen menjëherë në faqen zyrtare të Intstitucionit të Komisionerëve Publikë.



