Nënkryetari i Partisë së Lirisë Agim Nesho tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv që SPAK duhet të hetojë kryebashkiakun Erion Veliaj për aferën “5D”, për të treguar që nuk janë “një putër në dorën e qeverisë”.
Nesho vë në dukje se me faktet që kanë minimalisht duhet të kishim dorëheqje, ndërsa e konsideron Veliaj një figurë të “vdekur” politike. Ai shton se do të varet nga vullneti i Ramës nëse Veliaj do të bëhet “kokë” e dytë e drejtësisë, por kjo duket e vështirë sipas Neshos, pasi me Veliajn Rama mban Tiranën që është makineri e prodhimit të parave dhe fitimit të zgjedhjeve.
Rama u jep mbrojtje politike të gjithë njerëzve të përfshirë në afera politike. Rama kompromenton të gjitha institucionet e shtetit, siç është edhe Gjykata Kushtetuese duke i hedhur në koshin e plehrave. Argumenti i z.Bardhi ishte i drejtë. Këtu janë problemet e interesave të lidhura. Rama e ka kthyer Shqipërinë në një tokë ku oligarkët mund të marrin çdo gjë, që është skenar anti-popullor, kundër interesave të Shqipërisë. Do vazhdojë të jetë i tillë deri në fund Rama. Ky është një regjim anti-demokratik i tipit Putinesk, që mendon se atij i takojnë të gjitha.
Provat i ka krijuar SPAK-u për një nga çështjet më skandaloze që ka ndodhur në Shqipëri. Nëse do ishim në demokraci minimalisht do kishin dhënë dorëheqjen. Punonjës që janë pjesëtarë të administratës publike, përfitojnë nga fondet publike, kjo është e papranueshme dhe minimalisht duhet që përgjegjësia të kalonte në nivelin më të lartë. Nuk mund të delegosh punët e bashkisë, kur në themel vihen në lojë interesat e qytetarëve.
Por kjo është bërë mëse e zakonshme. Lidhjet e bashkisë me qeverinë në inceneratorin e Tiranë, kjo i ka kompromentuar që nuk lëviz asgjë. Korrupsioni ka arritur nivele të tilla saqë nuk mund të quhet më demokraci. Këta janë të pamëshirshëm në përfitimin e parave publike. Ai duhet të jepte moralisht një dorëheqje dhe t’i kërkonte falje opinionit publik. Këta funksionojnë si bandë e krimit të organizuar. Në gjithë fjalimin e tij Veliaj është përpjekur të justifikohet duke bërë paralelizma me kryeministrin. Korrupsioni me dosjen “5D” dhe inceneratori e bën të kompromentueshëm dhe të pajustifikueshëm pushtetin e Veliajt”.
I pyetur a mund të jetë Veliaj, “koka” e dytë e drejtësisë së re pas Ahmetajt, Nesho thotë:
Kjo varet nga dëshirat dhe interesat e kryeministrit. Ai do ta bëjë kurban Veliajn, megjithëse e ka të vështirë, sepse është lojtar i fortë. Ai me Veliajn ka mbajtur Tiranën tani, që është makineri e prodhimit të parave dhe fitimit të zgjedhjeve. Varet nga llogaritë e Ramës, por që dikë duhet të bëjë përgjegjës, o veten e tij, o Veliajn, kjo varet nga Rama. Veliaj që në kohën e inceneratorit ishte figurë e vdekur, por me 5D duket qartë mekanizmi i tij për të fuqizuar një pushtet të padrejtë dhe korruptiv që ka grabitur paratë e qytetarëve të kryeqytetit. Vet ky regjim, është një regjim korruptiv, nuk mund të luftohet në mënyrë të rregullt, institucionale, sepse i ka kapur institucionet dhe dyshohet se kontrollon edhe drejtësinë. Do shohim deri në fund nëse do ketë guxim SPAK-u të hetojë deri në kupolën e skandalit, që është vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, dhe kjo do tregojë që s’janë më putër në dorë të qeverisë, por mbrojnë interesat e shtetit dhe qytetarëve. Opozita do vazhdojë aksionin e saj, por është detyrë e popullit që të mblidhet dhe të rivendosë të drejtat e tij”.



