Kush është biznesmeni Blerim Hoxha? (VIDEO)

Kush është biznesmeni Blerim Hoxha? (VIDEO)

Po i pyes gazetarët që rrinë te SPAK, pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës. Besim Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritare dhe biznesi në Shqipëri? Çfarë është ky biznesmen? Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri? Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai.

Deklarata që bëri disa ditë më parë ish-zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj implikon si pronarë të inceneratorit të Tiranës emra të rinj, duke i vendosur në të shkuarën dy biznesmenët që qëndronin prapa kësaj afere: Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Po cilat janë lidhjet e Blerim Hoxhës me inceneratorin e Tiranës dhe me çfarë biznesmenësh ka bashkëpunuar në Shqipëri në të shkuarën?

Sipas dokumentave që gjenden në regjistrin e pronarëve përfitues të Qendrës Kombëtare të Biznesit, pronarë të kompanisë Geoenix në Hollandë që ka kompaninë koncesionare të inceneratorit Intergrated Energy Bv Spv është kompania italiane  Franco Tosi Meccanica me 40% të aksioneve dhe pronar Alberto Presezzin, ICARE Holding s.a me 40% të kuotave dhe Giuseppe Ciaffaglione me 19.9%. Të tre këta individë kanë blerë aksionet e Geogenix në maj të vitit 2022.

ICARE Holding s.a është një shoqëri me bazë në Zvicër me pronar francezin Max Abitbol. Firma është themeluar në vitin 2011 dhe ka mbajtur emrin JMG Investment, por është përthithur nga grupi Icare Holding në vitin 2018.

Në 4 tetor të vitit 2022, Icare Holding ka hapur në Shqipëri  degën Icare Energji. Sipas dokumentave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania drejtohet nga bordi i përbërë nga 3 persona: Max Abitbol, Blerim Hoxha dhe Joel Jacques Jean Chevallaz dhe administratore Marigona Metaj.

Me përjashtim të francezit Abitbol, emrat e tjerë janë të njohur në Shqipëri për lidhje të hershme me biznese në sektorin e hidrokarbureve të cilat kanë shfrytëzuar për disa vjet rafinerinë e naftës ARMO.

Blerim Hoxha ka qënë administrator i kompanisë Tosk Energji nga viti 2016 deri në prill 2022 dhe ka mbajtur më parë të njëjtin pozicion në kompaninë Byllis Energji. Të dy këto firma kanë patur me qira rafineritë e ARMO-s.

Blerim Hoxha rezulton një bashkëpuntor i ngushtë me biznesmenin Besnik Sulaj. Sulaj ka qënë një nga personat që shfrytëzyuar rafinerinë ARMO pas vitit 2013 përmes firmës Trading Petrol&Drilling. Kompania la miliona euro borxhe në tatime, dogana e paga të papaguara dhe u tërhoq.

Megjithatë vjedhja e ARMO-s nuk u ndal këtu. Asetet e rafinerisë së Ballshit i kalojnë bankës Credins përmes një procedure të dyshimtë ankandi, të hetuar dhe nga ministria e Drejtësisë në atë kohë. Hetimet nxorën në dritë se përpara se uzina të kalonte në pronësi të bankës e cila kërkonte shlyerjen e kredive të dhëna, e drejta për asetet e saj i takonte shtetit për shkak të detyrimeve tatimore të papaguara.

Banka Credins lidh një kontratë qiraje me një firmë që u prezantua si amerikane IRTC Oil, por që u pranua gjatë një emisioni ‘live’ nga Besnik Sulaj se pas saj qëndronte ai.

IRTC largohet dhe le sërish miliona euro detyrime tatimore e paga të papaguara për punonjësit. Disa muaj më vonë pas protestave të naftëtarëve, njoftohet se tashmë një tjetër kompani do të vinte në punë ARMO-n.

Banka Credins i shet pronësinë firmës offshore ‘Allum Enterprises’ përmes një kontrate kredie që i jep vetë asaj me vlerë 2.3 miliard lekë (23 milion euro). Tashmë ‘Allum’ lidh një kontratë me firmën zviceriane CDF Conseils Sarl, e themeluar nga Torbjorn Tornqvist, bashkëpronar në kompaninë Gunvor me rusin Gennady Timchenko. Ky i fundit rezulton në listën e personave të ndaluar nga departamenti i Thesarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gunvor ka kredituar me 1.9 miliard lekë (19 milion euro) aktivitetin e Tosk Energji. Dhe këtu skema nuk ndryshon, Tosk Energji krijon borxhe për paga, taksa e furnitorë dhe tërhiqet nga rafineria. Pagat e naftëtarëve i pagoi shteti shqiptar pas protestave dhe grevës së urisë që u zhvillua për disa javë. Allum nuk paguan kredinë dhe banka rimerr pronësinë.

Por goditjen e fundit rafinerisë së Ballshit, ia dha marrëveshja e bankës Credins me firmën Shijaku shpk, një kompani e lidhur me importuesin e parë të karburanteve në Shqipëri grupin “Kastrati”. Shoqëria Shijaku çmontoi për skrap uzinën, e cila dikur ishte një nga krenaritë e zonës së varfër të Ballshit duke nxjerrë qindra të papunë.

Arben Ahmetaj ftoi mediat dhe prokurorinë të investigojë për lidhjet e biznesmenëve që kanë shkaktuar miliona euro dëme në buxhetin e shtetit përmes skemës së ARMO-s, por që dalin sërish pas kompanive që kanë kontrata me vlerë miliona euro te inceneratori i Tiranës!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy