Rruga “Ali Pashë Gucia”, që lidh “Tafaj”-n me “Qemal Stafën”, prej më shumë se pesë muajsh ndodhet në gjendje të mjerueshme. Ajo është e hapur në të dyja anët, ndërsa pjesë të saj janë të çara nga lëvizjet e automjeteve, si pasojë e hapjes së kanaleve anësore që ende nuk janë mbyllur.
Në tabelën e punimeve të vendosur në fillim të rrugës, rezulton se projekti është pjesë e tenderit për ““rehabilitimi infrastrukturës rrugore për njësitë administrative 4+8+12” kryesisht për rrugën “Ali Pashë Gucia”, me një afat zbatimi pesëmujor, por pa asnjë datë të përcaktuar për nisjen dhe përfundimin e punimeve.
Banorët e zonës refuzojnë të flasin hapur para kamerës, por shprehen se punimet nisën pesë muaj më parë dhe prej asaj dite nuk është punuar më asgjë.
Gazetari i emisionit “Xhadat” dorëzoi një kërkesë për informacion në Bashkinë e Tiranës, duke pyetur se pse punimet kanë ndaluar dhe përse nuk janë përfunduar brenda afateve të caktuara.
Në përpjekje për të marrë një përgjigje, redaksia kontaktoi kompanitë përgjegjëse për projektin. Përfaqësuesi i kompanisë “LIS Konstruktion” deklaroi se ndodhej jashtë vendit dhe do të përgjigjej në një moment të dytë. Ndërkohë, kompania “Viante Konstruktion” kërkoi që pyetjet t’i dërgohen në mënyrë zyrtare përmes bashkisë dhe pretendoi se telefonata e bërë nga redaksia ishte një formë presioni në lidhje me tenderin. Po ashtu, kompania “S&L Studio sh.p.k.” u shpreh se nuk kishte dijeni për punimet e rrugës “Ali Pashë Gucia”, por do të komunikonte me drejtuesin teknik për të dhënë një përgjigje.
Megjithatë, asnjë nga kompanitë nuk dha sqarime konkrete për vonesat, ndërsa rruga “Ali Pashë Gucia” vijon të qëndrojë e hapur dhe e rrezikshme për qarkullim, duke u kthyer në shqetësim të përditshëm për banorët e zones.



