Meat Loaf, këngëtari, albumi i të cilit “Bat Out Of Hell” është një nga më të shiturit e të gjitha kohërave, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar në faqen e këngëtarit në rrjete sociale nga familja e tij, njofton BBC.
Fituesi i Grammy-it, vdiq të enjten mbrëma pranë gruas së tij Deborah.
“Ne e dimë se çfarë do të thotë ai për ju dhe e vlerësojmë me të vërtetë gjithë dashurinë dhe mbështetjen teksa kalojmë nëpër këtë kohë pikëllimi për humbjen e një artisti kaq frymëzues dhe njeriu të bukur”, tha familja e Meat Loaf në një deklaratë.
Nga familja nuk u bë me dije se, cili ishte shkaku i vdekjes.
Ylli i Bat Out of Hell shiti 100 milionë albume në mbarë botën dhe u shfaq në filma si Fight Club, Rocky Horror Picture Shoë dhe Wayne's World.
Shkruar dhe kompozuar nga Jim Steinman, albumi debutues i Meat Loaf i vitit 1977, “Bat Out of Hell”, është një nga albumet më të shitur në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me më shumë se 14 milionë kopje të shitura.



