Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha, ka firmosur largimin nga puna të drejtorit Rajonal të Sigurimeve Shoqërore në qytetin e Elbasanit. Kjo masë është marrë në kuadër të masave për parandalimin e përfshirjes së punonjësve të administratës publike në fushatë zgjedhore, brenda orarit zyrtar të punës. Sipas njoftimit të shpërndarë nga ministria, Kërtusha i ka propozuar Astrit Hados, drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqëore, largimin nga puna të Ervis Xhelo me detyrë, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Elbasan, me arsyetimin se ekzistojnë faktet që vërtetojnë se Xhelo ka marrë pjesë në fushatën elektorale të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, gjatë orarit zyrtar të punës.
“Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i kujton edhe një herë të gjithë punonjësve të administratës dhe institucioneve në varësi, që të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi për të mos u përfshirë dhe ekspozuar publikisht në aktivitete të fushatës zgjedhore, gjatë orarit zyrtar të punës. MMRS është e angazhuar që në zbatim të ligjit dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave, të monitorojë dhe marrë masa për rastet e deoncuara dhe verifikuara. Nga ana tjetër kërkohet bashkëpunim dhe vendosmëri në zbatimin e ligjit edhe nga drejtuesit e institucioneve, të cilët kanë përgjegjësi direkte në lidhje me aktivitetin e punonjësve të tyre”, theksohet në njoftimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.



