
Japonia ka pezulluar përdorimin e rreth 1.63 milion dozave të vaksinës Moderna për shkak të kontaminimit. Lajmi është bërë i ditur nga ministria e shëndetësisë, sipas së cilës në rreth 560 mijë shishe janë gjetur materiale të huaja.
Kompania Takeda Pharmaceutical, e cila shet dhe shpërndan vaksinën në Japoni, në një deklaratë për mediat tha se Moderna kishte vendosur të pezullonte tre linja prodhimi deri në një ekzaminim të plotë.
Autoritetet thanë paraprakisht se dyshojnë që problemi të ketë lindur në një fabrikë të prodhimit të vaksinës Moderna në Spanjë, por nuk dhanë hollësira të mëtejshme.
Nga ana e saj kompania Moderna deklaroi se po punohet me rregullatorët e Takeda për të hetuar çështjen.
Nuk ka detaje se çfarë janë "objektet e huaja" që janë gjetur në shishet e vaksinave, por Takeda i përshkroi atë si grimca, dhe tha se kreu një ekzaminim urgjent. Shumë kompani japoneze kanë pezulluar përdorimin e vaksinës.
Ndërkohë kryeministri i vendit deklaroi se pavarësisht situatës së krijuar me vaksinën Moderna, procesi në të gjithë vendin do të vazhdojë duke shtuar se parashikon që deri në fund të shtatorit rreth 60% e popullësisë duhet të jetë e vaksinuar.
Japonia po lufton me valën më të keqe të infeksioneve, të nxitur nga varianti Delta. Ajo ka vaksinuar 54% të popullsisë me të paktën një dozë dhe është vaksinuar plotësisht 43% e saj.



