
Vizita e kryeministrit Edi Rama në Izrael dhe pritja nga homologu i tij, Benjamin Netanyahu, ka nxitur polemika dhe debate të reja në opinionin publik.
Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, në një analizë për “MCN Live”, vlerëson se Shqipëria u nderua në Izrael për meritat e Qeverisë shqiptare të viteve 1943–1944 në mbrojtjen e hebrenjve, por sipas tij, kryeministri Rama nuk përmendi emrat e drejtuesve politikë të kohës që kishin një rol kyç në këtë proces.
Në fjalimin e tij mungoi përmendja e figurave si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Kol Bib Mirakaj, Tahir Kolgjini dhe Kadri Cakrani, të cilët, mbajtën përgjegjësi shtetërore dhe institucionale në mbrojtjen dhe strehimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në thelb, kryeministri izraelit dhe Knesseti shprehën mirënjohje të thellë ndaj shtetit shqiptar dhe ndaj asaj që bëri qeveria shqiptare e kohës, si dhe populli shqiptar, për mbrojtjen e hebrenjve në momentet më të vështira të ekzistencës së tyre.
Një fakt i padiskutueshëm historik është se në Shqipëri numri i hebrenjve u pesëfishua gjatë luftës, ndërkohë që në shumicën e vendeve europiane ai u zvogëlua ndjeshëm.
Kjo ndodhi sepse hebrenjtë e larguar nga Serbia, Bullgaria dhe Greqia gjetën strehim në Shqipëri.
Dallimi nuk qëndronte vetëm te mikpritja e familjeve shqiptare. Ajo që e veçoi Shqipërinë nga vendet e tjera të pushtuara nga Gjermania naziste ishte roli i qeverisë së kohës, e cila i strehoi dhe i mbrojti hebrenjtë.
Spahiu nënvizon se ishin autoritetet shtetërore të asaj periudhe, ministrat, drejtuesit e administratës dhe strukturat e sigurisë, që mundësuan strehimin, pajisjen me dokumente dhe mbrojtjen e hebrenjve dhe jo populli.
Populli i thjeshtë nuk kishte mundësi të lëshonte pasaporta apo dokumente zyrtare. Këto ishin kompetenca të qeverisë.
Personat dhe institucionet që mbajtën këto përgjegjësi historike duhej të ishin përmendur nga kryeministri Rama, pasi kjo do të sillte një pasqyrim më të plotë dhe më të saktë të rolit të Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.



