
Detyra kryesore e Ukrainës në qytetin lindor të Bakhmutit është që të "shterojë forcat dërrmuese të armikut dhe t'i shkaktojë atij humbje të mëdha", tha të martën komandanti i Forcave Tokësore të Ukrainës.
"Ne jemi tani në një kohë kur armiku, duke u përpjekur të kap Bakhmutin, ka hedhur të gjitha njësitë e tij më të mira për të arritur fitoren," tha gjeneral kolonel Oleksandr Syrskyi në një video të postuar në Telegram, e cila e tregon atë duke qëndruar përkrah trupave gjatë një vizitë në zonë.
“Detyra jonë është të shkatërrojmë sa më shumë armiq dhe të krijojmë kushtet për të nisur një ofensivë. Prandaj, ju duhet t'i jepni fund atyre njësive armike që janë para jush. Ju tashmë keni vërtetuar se mund ta bëni këtë”, tha ai.
“Ne duam të arrijmë kufijtë e Ukrainës, duam ta thyejmë armikun në mënyrë që ai të vdesë – këtu, afër Bakhmutit, në zona të tjera. Gjëja kryesore është që ju të vazhdoni t'i kryeni detyrat tuaja në një mënyrë kaq shembullore dhe kryesorja është që të ktheheni në njësitë tuaja të gjallë dhe të padëmtuar pasi t'i përfundoni ato, "u tha Syrskyi ushtarëve.
“Falë heroizmit dhe profesionalizmit të ushtrisë sonë, veprimeve të afta dhe të koordinuara, përdorimit efektiv të aftësive të manovrimit dhe armëve, ne po mbajmë kështjellën Bakhmut pavarësisht afateve dhe parashikimeve të ndryshme”, shtoi ai.
Të hënën, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se Syrskyi vizitoi Bakhmutin dhe "mori një sërë masash për të zgjidhur çështjet problematike që pengojnë kryerjen efektive të misioneve luftarake".
Bakhmuti ka qenë i rrethuar nga forcat ruse për muaj të tërë. Ai mbetet fokusi kryesor i sulmeve ruse, tha për CNN të dielën Serhii Cherevatyi, zëdhënës i Grupimit Lindor të Forcave të Armatosura të Ukrainës.



