Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, analisti Preç Zogaj, tha se ngjarja e 21 janarit 15 vjet më parë është një krim i zbardhur që në kohën kur ka ndodhur. Ai theksoi se një vit hetim nga SPAK-u është shumë për të mos pasur ende një përgjigje.
Dje ishte 15-vjetori. 15 vjet pa u zbardhur kjo masakër. Ka një specifikë ky përvjetor sepse përkon me vitin kur masakra po hetohet nga SPAK. 21 janari është regjistruar si vepër penale për hetim nga SPAK në verën e vitit 2024. Një muaj më vonë mori në administrim një kasetë të dorëzuar nga familjarët e Aleks Nikës, një audiokasetë. Një vit është shumë për të mos dhënë përgjigje, por ne nuk mund të vëmë afate për një krim të tillë. Ky është një krim që ka lindur i zbardhur. Ka ardhur duke u nxirë përgjatë viteve. Historia e masakrës së 21 janari është shkruar nga kufomat në bulevard. I shikoni ku janë vrarë. Merrni vendosni në vendet ku janë vrarë të katërt dhe përfytyroni se janë akoma aty dhe do të kuptoni që është vrasje tipike shtetërore. Janë pushkatuar, nuk janë vrarë.



