Gjykata e Apelit në Athinë e shpalli Agimin e Artë organizatë kriminale, duke deklaruar fajtorë 20 anëtarë të saj, 18 nga të cilët, deputetë. Fajtorë për pjesëmarrjen në organizatën kriminale janë shpallur Elias Kasidiaris, Christos Pappas dhe Artemis Mattheopoulos.
Një total prej 68 të pandehurish, përfshirë 18 ish-deputetë të Agimit të Artë, si dhe eurodeputeti aktual Giannis Lagos janë përballur në gjykatë me akuzat për një seri sulmesh të dhunshme dhe “të përgjakshme të kryera nga një organizatë kriminale por nën maskimin e një partie politike”.
Lideri i partisë, Michaloliakos, dhe 17 deputetët e tjerë përballen me të paktën 10 vjet burg nëse dënohen për akuza të drejtimit ose pjesëmarrjes në një organizatë kriminale. Dhjetëra të tjerë, anëtarë të partisë dhe bashkëpunëtorë të dyshuar, përballen me dënime për akuza që variojnë nga vrasje deri në dëshmi të rreme - shumica të lidhura me një valë sulmesh të dhunshme në 2013.
Vetëm 11 nga 68 të pandehurit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa pjesa tjetër u përfaqësuan nga avokatët e tyre.
Shpallja e vendimit u pasua me tensionimin e situatës në Athinë. Rreth 2 000 policë u dërguan në terren, ndërkohë që dronë dhe një helikopter i policisë monitorojnë situatën nga ajri. Rruga jashtë gjykatës së Athinës u mbyll për automjetet, ndërsa vetë ndërtesa u rrethua nga makinat e policisë.
Më shumë se 10 000 njerëz, përfshirë politikanë nga të gjitha partitë politike, u mblodhën jashtë gjykatës. Turma mbante parulla si “Shtypni nazistët" dhe "Populli i do nazistët në burg".
Në tubimin para gjykatës u mblodhën përfaqësuesit e partive të të gjithë spektrit politik, nga partia konservatore qeverisëse Demokracia e Re deri te Partia Komuniste e Greqisë.
"Lufta kundër dhunës dhe urrejtjes është e vazhdueshme", tha Giorgos Stergiou i Demokracisë së Re, duke vërejtur se ishte nën një qeveri të Demokracisë së Re që filloi ndjekja penale e Agimit të Artë.
"Sot viktimat dhe shoqëria kërkojnë drejtësi", tha udhëheqësi i partisë Kinal, e qendrës së majtë, Fofi Gennimata. "Ne jemi këtu sepse nuk ka vend për fashizëm në jetën tonë."
Ajo që gjykata mori në shqyrtim ishte nëse sulmet e dhunshme mund të lidheshin me udhëheqjen e Agimit të Artë dhe nëse partia po vepronte si një organizatë kriminale. Hetimi paraprak tregoi se partia vepronte si grup paramilitar, me urdhra të dhëna nga lidershipi për organizatat e lagjeve dhe mbi sulmet e kryera ndaj migrantëve që shpesh çuan në dëmtime serioze.
Por gjatë gjykimit, prokurori rekomandoi shfajësimin e shumë prej anëtarëve të partisë për akuzën e organizatës kriminale për shkak të mungesës së provave.
Amnesty International, i cili mori pjesë dhe ndihmoi në organizimin e një rrjeti për të regjistruar dhunën raciste në Greqi, tha se vendimi i së mërkurës do të rrisë përpjekjet e atyre që përpiqen të ndjekin krimet e urrejtjes.
"Akuzat kundër udhëheqësve dhe anëtarëve të Agimit të Artë, përfshirë vrasjen e Pavlos Fyssas, zbulojnë një çarje që ekziston jo vetëm brenda Greqisë, por në të gjithë Evropën dhe më gjerë," tha Nils Muiznieks, drejtori i Evropës në Amnesty. "Ndikimi i këtij vendimi, në atë që është një gjyq emblematik i një partie të ekstremit të djathtë me një qëndrim agresiv anti-migrant dhe të drejtave të njeriut, do të ndihet shumë përtej kufijve të Greqisë."
Agimi i Artë mohon çdo lidhje të drejtpërdrejtë me sulmet dhe e ka cilësuar gjyqin dhe akuzat e ngritura kundër udhëheqjes së partisë si një "komplot të paparë" që synon të frenojë rritjen e popullaritetit të saj.



