Sot në Trieste të Italisë mbahet samiti i Ballkanit Perëndimor 2017, i cili do të jetë një mundësi për të diskutuar rrugët konkrete për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe për të çuar më tej procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Samiti do të shërbejë si një rast i rëndësishëm për të punuar së bashku në forcimin e mundësive konkrete duke nxitur bashkëpunimin rajonal me qëllim të zhvillimit të shoqërive gjithëpërfshirëse, qeverisjes së mirë dhe ekonomive vibrante, duke avancuar më tej perspektivën e integrimit të Bashkimit Evropian në rajon.
Në samit do të marrin pjesë shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, komisari për Zgjerim dhe politika të fqinjësisë Johannes Hahn, Violeta Bulc, komisionere për Transport, si dhe shefat e qeverisë, ministrat e Ekonomisë dhe Ministrat e Transportit të Ballkanit Perëndimor dhe homologët e tyre nga gjashtë shtete anëtare të BE-së Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia.
Delegacionet qeveritare të vendeve të Ballkanit Perëndimor të Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Bosnje Hercegovina, Serbisë, Malit të Zi si dhe të vendeve anëtare të BEsë do të mblidhen në Samitin e Triestes në 3 seksione paralele; seksioni i Krerëve të Shteteve e përfaqësuesve të ekzekutivit të çdo vendi pjesëmarrës; seksioni i takimit të Ministrave të Jashtëm dhe seksioni ekonomik me pjesëmarrjen e Ministrave të Financave e të Ekonomisë së vendeve të Ballkanit Lindor.
Diskutimet do të fokusohen në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: projektet infrastrukturore, integrimi rajonal ekonomik/zhvillimi i sektorit privat dhe kontaktet mes njerëzve.



