Ura mbi Lumin Mat në aksin e vjetër rrugor Lezhë-Milot, shumë shpejt pritet të ketë fatin e asaj të zogut.
E ndërtuar në vitin 1987, kjo urë rrezikon seriozisht shembjen. Këmbët e saj kanë dalë në sipërfaqe dhe janë anuar në disa vende, ndërsa hapësirat mes trarëve lidhës janë zgjeruar duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve.
Reshjet e fundit të shiut e kanë përkeqësuar edhe më tej situatën, teksa banorët e zonës thonë se nga shfrytëzimi pa kriter i lumit për inerte, nuk do të jetë e largët dita kur kjo urë mund të shembet plotësisht.
I kontaktuar për këtë çështje prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, thotë se institucioni që ai drejton përmes shkresave ju ka përcjellë shqetësimin institucioneve qendrore, por deri tani asnjë masë nuk është marrë.



