Politologu Ilir Kalemaj, koncertin e mbajtur mbrëmjen e së enjtes në sheshin “Skënderbej” me praninë e zyrtarëve të lartë dhe punonjës të administratës, e cilësoi si nxjerrje me dhunë pas punës dhe detyrim për të ardhur nga rrethet.
U nis si sebep për të festuar hapjen e negociatave, ku pas tre herëve më në fund shampanja u hap dhe u bitis si koncert për 100-vjetorin e marrëdhënieve me SHBA, bukë dhe cirk.
Kështu tha Kalemaj në studion e lajmeve të MCN TV, duke cituar se për nga madhësia e administratës vetëm dy shtete kemi para.
Të dalësh dhe të festosh me detyrim për të mbajtur vendin e punës. Janë dy lloj në administratë. ata që paguhen dhe nuk bëjnë asnjë punë, për paaftësi. Natyrisht rrogat janë mediokre se nuk ka më tepër buxhete dhe tjetra paguhet për shfaqe të tilla si thela mbi bisht.
Mund të perceptohet edhe si anti-miting. Por ndaj kujt? Ndaj Berishës dhe Metës që Rama thotë se nuk i quan të denjë për të. Kështu fitoi dhe zgjedhjet e 25 prillit kur tha votoni për Bashën dhe merrni Ilirin dhe Berishën në paketë. Pjesa tjetër e sfidon për marrjen e pushtetit, mendoj se është thjesht një shpenzim i kotë, nuk e ka bërë asnjë shtet tjetër, republika çeke nuk ngriti as flamurin, por filloi punën.
Ne hapëm siparin e një pune që do kërkojë minimalisht 15 vjet. Të festosh për diçka që do ndodhë 20-30 vjet më vonë, është të tallesh me njerëzit, shoqërinë dhe popullin dhe kur të ndodh do të jetë për arsye gjeopolitike.
Pas akuzave se Ilir Meta figuronte në dosjet e Sigurimit të Shtetit, si PD dhe PS kanë kërkuar ndryshimin e ligjit për rivlerësimin e pastërtisë së figurave politike nga Autoriteti i Dosjeve të atyre që kanë marrë më parë certifikatën e pastërtisë së figurës, Kalemaj thotë se dosjet duhet të ishin hapur që në fillim të viteve ‘90-të.
Sipas tij, formalisht Taulant Balla në Kuvend ia la këtë të drejtë opozitës, duke thënë “më mirë vonë se sa kurrë”.
Nuk duhet harruar fakti se shumica e dosjeve ose janë zhdukur, ose janë deformuar, ose janë manipuluar, është shumë vonë dhe shumë pak që është bërë gjatë këtyre viteve, ndërkohë që duhej mbyllur ky kapitull që të bëhej katarsis në shoqërinë shqiptare.
Komisionet kanë funksionuar si komisione politike. Marrja e certifikatës së pastërtisë nuk do të thotë se janë të tillë, këta persona në Gjermaninë lindore nuk lejoheshin të punonin në çdo sektor publik, në Shqipëri kanë qenë deputet, ministra, gazetarë, botues, akademik.
Duhet bërë një orë e më parë, të mbyllet ky kapitull i shëmtuar. Ata njerëz me dashje pa dashje, kanë kryer krim duke bashkëpunuar me regjimin totalitar dhe të vuajnë pasojat pasi kanë shijuar frytet e pamerituara.
Teksa Meta paralajmëroi përballje ligjore me Autoritetin e Dosjeve, Kalemaj tha se është në të drejtën e tij që ta kontestojë, pasi në Shqipëri çdo gjë është akuzë politike.
Që kjo gjë të zgjidhet një herë e mirë, duhet ose ligj i ri, ose amendim për ligjin aktual. Duke hequr pengesat ligjore që janë bërë, normalisht do pastrohet skena politike dhe personat përgjegjës, më në fund ta marrim të vërtetën për zotin me amendim e ligjit aktual, ose ligj të ri, duke bërë dosjet publike.
Lidhur me aksionin opozitar dhe paralajmërimin e Sali Berishës ndaj Ramës se do të përballet me revoltën më të madhe popullore nëse do të ndërhyjë në çmimin e energjisë elektrike, ai shtoi se në kuadër të retorikës politike, nuk ka ndonjë veçanti.
Është kërcënimi i radhës, Berisha nuk do marrë armë, do organizojë protesta, çdo protestë ndaj qeverisë kur cenohen të drejtat e qytetarëve është një akt për tu përshëndetu. Kush përfiton politikisht është tjetër debat.
Nuk shoh asgjë të keqe nga protestat qoftë këto të organizuara nga PD, opozita apo shoqëria civile, duhet të pushojë çdo luftë për protagonizëm nga shoqëria civile apo politike.
Kjo ishte verë e pazakontë, jashtëzakonisht dinamike për zhvillimet politike. Kemi pasur zhvillime të jashtëzakonshme luftën në Ukrainë, krizën e ushqimeve, situatën në Ballkan dhe çeljen e negociatave.
Berisha i rikthyer në PD, Meta i rikthyer në Shtëpinë e Lirisë. Parashikohet që shtatori ta ruajë, ndoshta dhe thellojë këtë situatë politike e cila natyrisht vjen dhe me një kosto për qytetarët.



