Arben Ratkoceri, botuesi i gazetës Koha, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se BDI do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë me LSDM-në, pasi VMRO-DPMNE është tërhequr nga qëndrimi i saj i mëhershëm, që kishte si kusht daljen e partisë shqiptare nga qeveria. Ratkoceri tha se opozita kërkon tashmë zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që BDI dhe partia në pushtet janë për një tjetër proces. Ai u shpreh se oferta e mazhorancës është për një qeveri me bazë të gjerë, përfundimin e ndryshimeve kushtetuese dhe mandaj të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Lidhur me deklaratat e mëhershme të BDI për tërheqje nga qeveria, Ratkoceri tha: “Më shumë është një përgjigje ndaj një kërkese të partisë më të madhe opozitare maqedonase, mirëpo kjo parti u tërhoq nga qëndrimi i mëhershëm, që do hynte në proces nëse tërheqje BDI. Partia sot kërkon zgjedhje të parakohshme jo përfundimin e procesit të ndryshimeve kushtetuese, ku afati është paraparë të ndodhë deri në nëntor. Më shumë është përfitimi në drejtim të seriozitetit të BDI-së në angazhimin e saj për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. BDI ishte motori kryesor edhe në tejkalimin e krizës me Greqinë për çështjen e emrit. Tashmë kërkohet të futet pakica bullgare dhe maqedonase, por konflikti është pak më I thellë, identitar. BDI është faktori i balancës mes dy subjekteve kryesore”. I pyetur, nëse do të kemi zgjedhje të parakohshme apo formimin e një qeverie me bazë të gjerë pa zgjedhje të parakohshme, ai shprehet: “Ideja është kjo e dyta. Oferta e partisë më të madhe maqedonase në pushtet, por edhe BDI-së është që të shkohet te një qeveri me bazë të gjerë, të përfundohen ndryshimet kushtetuese dhe pastaj të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Por VMRO këmbëngul të kundërtën, të shkohet në zgjedhje të parakohshme, ku për shkak të nacionalizmit të theksuar dhe sondazhet e nxjerrin aktualisht të parën, dhe pasi të përfundohen zgjedhjet e parakohshme të shqyrtohet procesi për ndryshimet kushtetuese”. Botuesi i gazetës “Koha” theksoi se nuk beson që VMRO do t’i votojë ndryshimet kushtetuese. “BDI do jetë pjesë e qeverisë, pasi VMRO përkundër kërkesës së mëhershme është tërhequr nga qëndrimi i saj. VMRO-DPMNE tashmë kërkon zgjedhje të parakohshme. Parashoh që BDI do vazhdojë si pjesë e qeverisë me LSDM dhe kështu do shkohet deri në zgjedhjet e rregullta parlamentare, që janë në pranverë të vitit të ardhshëm. Numrat aktuale të deputetëve që janë pro ndryshimeve kushtetuese nuk garantojnë që do përfundojë ky proces, pasi kërkohen 2/3. Pa VMRO-DPMNE është e pamundur të shkohet në ndryshimet kushtetuese. Presioni më efektiv është kur vjen nga Uashigtoni zyrtar, BE ka njëfarë kaosi, dhe qëndrimet e tyre ndonjëherë nuk merren as seriozisht nga liderët. Nuk besoj se VMRO do t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Grupi parlamentar duket kompakt, për shkak të qëndrimeve nacionaliste karshi shqiptarëve dhe bullgarëve, të gjitha sondazhet e japin që do jetë partia fituese në zgjedhjet e ardhshme. Komuniteti maqedonas është një farë lloj dialekti i bullgarëve, dhe në 1945 është filluar ndërtimi i një identiteti të ri mbi bazën e historisë bullgare, që këta e komentojnë si të tyre. Ka urrejtje goxha të madhe ndaj Bullgarisë. Nuk do mundet të dalë as një deputet bullgar në Parlament, sepse ka një urrejtje të ngjeshur ndaj bullgarëve. Faktori politik shqiptar në konfliktin me Sofjen po luan rol kyç, njëjtë siç e luajti me Athinën zyrtare. Probleme të Maqedonisë së Veriut janë korrupsioni dhe vërejtjet për sistemin gjyqësor”, tha ai.



