Rusia ka goditur një urë tjetër të rëndësishme në Kiev përmes një sulmi me dronë, tha kryebashkiaku ukrainas, Vitali Klitschko.
Sulmi i mëngjesit të kësaj të shtune dëmtoi sipërfaqen e rrugës dhe linjat elektrike të trolejbusëve në Urën Veriore, sipas Klitschkos.
Goditja vjen vetëm pak ditë pasi Ura Jugore e Kievit u shënjestrua disa herë nga dronë rusë. Klitschko kishte paralajmëruar më herët se sulme të tilla po e “shkatërrojnë Kievin”.
Dy urat janë ndër akset kryesore që lidhin pjesën lindore me atë perëndimore të kryeqytetit ukrainas.
Sulmet e mëparshme ndaj Urës Jugore detyruan Këshillin e Mbrojtjes së Kievit të zhvillonte një takim urgjent të premten.
Pas takimit, Klitschko e përshkroi situatën në kryeqytet si “shumë dramatike”, duke thënë se sulmet ruse po dëmtojnë infrastrukturën kritike, rrjetin logjistik, banesat dhe objekte të tjera të rëndësishme të qytetit.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se sulmet e Moskës janë një përgjigje ndaj goditjeve ukrainase mbi objektet energjetike ruse. Megjithatë, Rusia kishte nisur më herët sulme të gjera ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.



